Reshjet masive të shiu që kanë zbarkuar në vendin tonë që prej ditës së djeshme kanë sjellë probleme të shumta në të gjithë Shqipërinë.
Në Durrës situata më problematike paraqitet në lagjen 5, pranë Stadiumit, pranë stacionit të Trenit, në Shkozet dhe në rrugën Aleksandër Goga.
Në Spille raportohet për dëme të shumta në zonën e njësisë Kryevidh. Dhjetëra pemë janë rrëzuar si pasojë e erës së fortë, ndërsa dhjetëra shtëpi janë nën pushtetin e ujit.
Në Elbasan dhe në Shkodër uji ka vërshuar brenda shtëpive.
Mësohet se në lagjen Ajasem të bashkisë Shkodër 10 shtëpi janë nën pushtetin e ujit.
Prej 72 orësh territori i qarkut të Shkodrës ka qenë i përfshirë nga reshjet.
Nga Shtabi i Emergjencave flitet për një sipërfaqe të përmbytur prej 400 ha në fshatin Muriqan. Prezenca e ujit në Gur të Zi, Dajç e Velipojë është problematike.
Në lagjen Ajasëm banesat janë të izoluara dhe banorët janë parë të lëvizin me varka.