Organi më i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut vendosi të enjten të nisë një mision të ri për hetimin e shtypjes së protestave masive nga regjimi iranian. Këto protesta kanë kapluar Iranin që nga shtatori i sivjetmë.
Mocioni u miratua me 25 vota për, 6 kundër dhe 16 abstenime në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Aktivistë dhe disa diplomatë festuan me brohoritje dhe duartrokitje përderisa rezultati po lexohej nga presidenti i Këshillit.
Përfaqësuesja e Teheranit në takimin e Gjenevës, Khadijeh Karimi akuzoi paraprakisht shtetet perëndimore se po përdorinin këtë këshill për ta sulmuar Iranin, gjë që ajo e quajti “të tmerrshme dhe të turpshme”.
Kina u përpoq, por nuk arriti ta kalonte një amendament për këtë mocion, që do të kishte hequr paragrafin kryesor që i referohej hetimit për shtypjen e protestave masive nga Irani.
I dërguari i Kinës, Jiang Yingfeng, i tha Këshillit se mocioni i udhëhequr nga Gjermania ishte “tejet kritik” ndaj Iranit.
“Kjo padyshim që nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit”, shtoi ai, duke kërkuar fshirjen e një paragrafi kyç./REL