Në Shqipëri, prej disa kohësh, po zhvillohet me shpejtësi edhe tregu detektivëve privatë.
Bëhet fjalë për detektivë, të cilët mund t’i japin përgjigje njerëzve për tradhtitë bashkëshortore, për prindër të cilët duan të investigojnë lëvizjet e fëmijëve të tyre, apo edhe për raste të tjera ku njerëzit kanë dyshime.
Këta detektivë marrin informacione në rrugë të ndryshme për aktivitetin e personave për të cilët pala e tretë ka dyshime.
Për të mësuar më shume rreth punës së një detektivi ishte e ftuar në Dita Jonë Shkënda Lili, e cila zbuloi se familjarët janë më dyshues ndaj partnerit të tyre. “Tek unë është pjesa e familjarëve që vjen, kur bëhet fjalë për tradhtitë.
Ata janë më kërkues për të ditur për njëri-tjetrin. Gratë dyshojnë më shumë, janë shumë posesive. Kur vijnë meshkujt e kanë një qëllim të caktuar ose janë në proces divorci ose për ndarje të pasurisë.
Femra do të dijë çdo gjë, çdo lëvizje të bashkëshortit. Femrat duan të dinë gjithçka, çdo lëvizje. Ku ishin këtu? Kush pagoi kafet?”.
Por si bëhet investigimi? “Investigimi nis që në momentin kur objektivi del nga banesa në mëngjes, ndodh gjatë gjithë kohës. Provat janë me foto, video, por ka edhe nga ata që kërkojnë ballafaqim.
Ka nga ata klientë që duan të jenë vet në momentin kur ne i kapim. Këtë gjë unë nuk e preferoj, pasi mund të ndodhin edhe zënka. Më shumë këtë ma kërkojnë femrat”, tregon detektivja.
Më tej, Shkënda Lili tregon se të gjitha provat mund të shërbejnë edhe në procesin gjyqësor, ku mund të dëshmojë edhe detektivi.