-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Artan Fuga: Dhuna fizike dhe dhuna politike

Kryesoret

Ngjarja në bulevard ku dikush në mënyrë të qëllimshme goditi në mes të njerëzve, në mes të ditës, në prani të kamerave, kreun e opozitës dhe njëherazi kryetarin e Partisë demokratike z. Sali Berisha, ishte një ngjarje sa e rëndë, aq edhe e paparë ndofta në histori.
Unë nuk nxitoj të them se nga kush u frymëzua, pagua, organizua.
Në mendjen time kam nja gjashtë versione, por nuk do të them asnjerin sepse nuk dëshiroj të hedh supozime jashtë mendjes sime. Por, një gjë dihet: Cfardo të deklarojë në polici goditësi asgjë e tij nuk besohet.
Kartela e tij mjekësore është për ta ndëshkuar me një dënim të papërfillshëm. Edhe sikur ajo të jetë e vërtetë, gjë që duhet parë nga afër, nuk ndryshon gjë! Ata, ustallarët, një nga gjashtë versionet, pra, me ata njerëz punojnë! Historia e di këtë! Shihet çdo ditë!
Por, ajo që më bëri përshtypje janë deklarimet e shpejta në media të një sërë aktorësh kryesorë politikë që shprehen në një farë mënyre kundër aktit, a thua se brenda tyre u vlon një ndjenjë vetëfajësie e kotë, i bën të nxitojnë dhe të shkarravisin lloj lloj broçkullash.
Vetëfajësim që psikanaliza e njeh kaq mirë, saqë ata që nuk e njohin, nuk do të bënin deklarime që janë shumë domethënëse.
Dikush thotë se dënoj dhunën, sepse dhuna nuk ka të bëjë me politikën!
Të shkrihesh gazit! A thua se nuk e dimë ne që politika dhe dhuna fizike në sheshe sigurisht në parim nuk kanë asgjë të përbashkët, por sikur edhe nuk dimë që për politikë janë rrahur midis tyre politikanët si dhe nga forcat e rendit sa e sa njerëz, në të gjitha kohërat!
Pra dhuna nuk është politikë dhe politika dhunë! Uaaa çfarë zbulimi, por asnjë fjalë për kreun e opozitës që u godit rëndë!
Dikush tjetër me goxha nën-pozitë thotë se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur, dhe se i uronte shëndet z. Berisha, por e censuron me kujdes veten për të mos e cilësuar si kryetar i opozitës.
Dikush tjetër tjetër dënon dhunën, por as e përmend se ky njeriu që u dhunua ishte në krye të një proteste a mitingu mirëseardhjeje për krerët e BE dhe denoncimi të kryeministrit Rama para tyre!
Dënon dhunën dhe kërkon ndëshkimin e fajtorit! Pse ka shanse që të mos dënohet?
Dikush thotë se dhuna është e paparanueshme, por nuk përmend se kush dhunoi kë, Z. Berisha dhunoi atë njeriun apo ai njeriu dhunoi z. Berisha!
Në të gjitha këto deklarime një gjë bie në sy! Aktorët politikë nxitojnë të shprehen për të larë veten e tyre. Dhe mirë bëjnë! Por duke e larë veten nga një vetëfajësim nënpsiqik i natyrshëm, por i kotë, pohojnë një gjë : Mospranimin e z. Berisha si kryetar i opozitës që u dhunua duke kryesuar një miting proteste ndaj qeverisë!
Kjo quhet dhunë psiqike. E do apo nuk e do kryetarin e opozitës Sali Berisha, çdo njeri është i lirë, ta besojë, mos e besojë, ta besojë a mosbesojë përgjysmë, herë ta besojë, herë të mos ta besojë. Por realiteti është që ai është, dhe është ai që është, s’ke ç’i bën, kryetar i PD dhe i opozitës.
Duke e hequr objektin konkret, individin politik që u dhunua në shesh, duke folur për dhunë në përgjithësi, duke censuruar faktin nga i shprehuri publik pikërisht je duke ushtruar dhunë psiqike, politike, administrative, etike ndaj tij në këtë rast.
Pra, në një farë mënyre, dhe këtu hyn psikanaliza, distancohesh nga dhuna duke e pohuar atë, në një formë të pranueshme, hapur politike, të sublimuar, të zhvendosur, në mënyrë skizofrenike, mohon atë që pohon dhe pohon atë që mohon!
Dhe është pikërisht kjo dhunë politike që karakterizon jetën sociale te ne që prodhon dhunëra fizike, jo vetëm, por rrënimin e vendit!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit