FIFA ka gjobitur Federatën Serbe të futbollit me 20 mijë franga zvicerane pas fotove që qarkulluan në internet të hartës së Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe nënshkrimin “Nuk dorëzohemi”, i cili ndodhej në dhomën e zhveshjes së lojtarëve serb.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA për pankartën, e cila ishte varur mbi dollapët e dy lojtarëve të Serbisë më 24 nëntor.
Përveç FFK-së, ankesë bëri edhe Komiteti Olimpik i Kosovës në FIFA dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Ky gjest ndodhi në ndeshjen e parë të Serbisë në Kampionatin Botëror kundër Brazilit ku humbi 2-0.
Ndërkohë një tjetër procedurë është e hapur në lidhje me ofendimet e bëra nga trajneri serb dhe tifozët serb në ndeshjen kundër Zvicrës.