Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënim me burg dhe gjobë ndaj dy të akuzuarve për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.
Ish-punonjësi i Thesarit, Labinot Gruda, u dënua me 11 vjet burgim dhe me gjobë prej 8.500 eurosh, ndërkaq Kadri Shala me 10 vjet burgim dhe 33.000 euro gjobë.
Gruda dhe Shala, sipas aktgjykimit, duhet të t’ia kompensojnë Ministrisë së Financave dhe Transfereve, dëmin e shkaktuar në vlerë prej 2.077.995.90 euro.
Gruda u shpall fajtor për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetet zyrtar, hyrje në sistemet kompjuterike, vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes dhe shpërlarje e parave. Shala u shpall fajtor për ndihmë në ndërlidhje me veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe për shpërlarje të parave.
Grudës po ashtu i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në shërbim publik për gjashtë vjet dhe koha e kaluar në vuajtje të dënimit, nuk do t’i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi plotësues.