-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Henry Kissinger: Si të shmangim një luftë tjetër botërore

Kryesoret

Lufta e Parë Botërore ishte një farë vetëvrasje kulturore që shkatërroi epërsinë e Evropës. Liderët evropianë shkuan përgjumshëm – thënë me fjalët e historianit Christopher Clark – drejt një konflikti në të cilin asnjë prej tyre nuk do të kishte hyrë sikur të kishte parashikuar botën si do të ishte në fundin e luftës më 1918. Në dekadat e mëparshme ata i kishin shprehur rivalitetet mes tyre duke krijuar dy grupe aleancash, strategjitë e të cilave ishin të lidhura sipas planeve përkatëse të mobilizimit. Si rezultat, më 1914, vrasja e Princit austriak të Kurorës në Sarajevë nga një nacionalist serb u lejua të përshkallëzohej në një luftë të përgjithshme që nisi kur Gjermania vuri në zbatim planin e gjithanshëm për të mposhtur Francën duke sulmuar Belgjikën neutrale në anën tjetër të Evropës.

Vendet evropiane, jo sa duhej të vetëdijshme se sa shumë i kishte fuqizuar teknologjia forcat respektive ushtarake, i shkaktuan shkatërrim të paparë njëri-tjetrit. Në gusht 1916, pas dy vitesh luftë e miliona viktima, palët kryesore në Perëndim (Britania, Franca e Gjermania) nisën të kërkonin rrugë për t’i dhënë fund kasaphanës. Në lindje, rivalët Austria e Rusia po kërkonin të njëjtën gjë. Meqenëse asnjë kompromis i konceptueshëm nuk mund të justifikonte sakrificat e bëra tashmë, dhe meqë askush nuk donte të jepte përshtypje dobësie, liderë të ndryshëm ngurruan të nisnin një proces formal paqeje. Për këtë arsye kërkuan ndërmjetësimin e Amerikës. Eksplorimi i kryer nga Kolonel Edward House, i dërguari personal i Presidentit Woodrow Wilson, zbuloi se paqja e bazuar mbi status quo ante të modifikuar ishte e arritshme. Megjithatë, Wilson, ndërsa ishte i gatshëm e eventualisht edhe i paduruar për të luajtur ndërmjetësin, e la gjithçka për pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Deri atëherë, ofensiva britanike në Somme dhe ajo gjermane në Verdun kishin shtuar edhe dy milion viktima të tjera.

Thënë me fjalët e librit mbi këtë temë shkruar nga Philip Zelikow, diplomacia u bë rruga më pak e shkelur. Lufta e Madhe vazhdoi edhe për dy vjet të tjerë e shkaktoi miliona viktima të tjera, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme ekuilibrin në Evropë. Gjermania dhe Rusia u përfshinë nga revolucioni; shteti austro-hungarez u zhduk nga harta. Franca derdhi deri në pikën e fundit të gjakut. Britania kishte sakrifikuar një pjesë të madhe të brezit të ri dhe të kapaciteteve ekonomike për të arritur fitoren. Traktati ndëshkues i Versajës që i dha fund luftës rezultoi shumë më i brishtë se struktura që zëvendësoi.

A e sheh veten bota sot në një pikë kthese të ngjashme në Ukrainë, teksa dimri imponon një pauzë në operacionet ushtarake në shkallë të gjerë atje? E kam shprehur vazhdimisht përkrahjen time për përpjekjet ushtarake të aleatëve për të zmbrapsur agresionin rus në Ukrainë. Por po vjen koha të ndërtohet mbi ndryshimet strategjike që janë arritur tashmë dhe të integrohen në një strukturë të re drejt arritjes së paqes përmes bisedimeve.

Ukraina është bërë shtet madhor në Evropën qendrore për herë të parë në historinë moderne. E ndihmuar nga aleatët dhe e frymëzuar nga presidenti i saj Volodymyr Zelensky, Ukraina ka ndaluar përparimin e forcave konvencionale ruse, të cilat kanë qëndruar pezull mbi Evropë që nga lufta e dytë botërore. Dhe sistemi ndërkombëtar, përfshirë Kinën, kundërshton kërcënimin e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore.

Ky proces ka nxjerrë në pah çështjet origjinale në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ukraina ka krijuar një nga ushtritë tokësore më të mëdha dhe më efektive në Evropë, të pajisur nga Amerika dhe aleatët e saj. Një proces paqeje duhet ta lidhë Ukrainën me NATO-n, sido që të shprehet. Alternativa e asnjanësisë nuk ka më kuptim, veçanërisht pas bashkimit të Finlandës e Suedisë me NATO-n. Kjo është arsyeja pse, majin e kaluar, rekomandova vendosjen e një linje armëpushimi përgjatë kufijve që ekzistonin në fillimin e luftës, më 24 shkurt. Rusia do të largohej nga territoret e pushtuara, por jo nga ato të pushtuara gati një dekadë më parë, përfshirë Krimenë. Ai territor mund të jetë objekt bisedimesh pas armëpushimit.

Nëse kufiri i paraluftës midis Ukrainës e Rusisë nuk mund të arrihet as me luftime apo bisedime, mund të eksplorohet rekursi i parimit të vetëvendosjes. Mund të zhvillohen referendume të monitoruara nga ndërkombëtarët për vetëvendosje në territore veçanërisht të diskutueshme që kanë ndryshuar disa herë duar gjatë shekujve.

Qëllimi i procesit të paqes do të ishte i dyfishtë: konfirmimi i lirisë së Ukrainës dhe përcaktimi i një strukture të re ndërkombëtare, sidomos për Evropën Qendrore e Lindore. Eventualisht edhe Rusia do ta gjente një vend në një rend të tillë.

Rezultati i preferuar për disa është një Rusi që del e pafuqishme nga lufta. Unë nuk jam dakord. Me gjithë prirjen për dhunë, Rusia ka dhënë një kontribut vendimtar në ekuilibrin global dhe në ekuilibrin e fuqisë për më shumë se gjysmë mijëvjeçari. Roli i saj historik nuk duhet të degradohet. Hapat prapa ushtarakisht nuk e kanë eliminuar kapacitetin e saj bërthamor global, duke i mundësuar Rusisë të kërcënojë me përshkallëzim në Ukrainë. Edhe nëse kjo aftësi zvogëlohet, shpërbërja e Rusisë ose shkatërrimi i aftësisë së saj për politikë strategjike mund ta kthejë territorin e saj që përfshin 11 zona orare në një vakuum të kontestuar. Shoqëritë e saj konkurruese mund të vendosin t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre me dhunë. Vende të tjera mund të kërkojnë të arrijnë pretendimet e tyre me forcë. Të gjitha këto rreziqe do të shtoheshin nga prania e mijëra armëve bërthamore që e bëjnë Rusinë një nga dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë.

Teksa liderët e botës përpiqen t’i japin fund luftës në të cilën dy fuqi bërthamore konkurrojnë mbi një vend të armatosur në mënyrë konvencionale, ata duhet gjithashtu të reflektojnë mbi ndikimin e teknologjisë së lartë në zhvillim mbi këtë konflikt dhe mbi strategjinë afatgjatë. Armët autonome tashmë ekzistojnë, të afta për të përcaktuar, vlerësuar dhe shënjestruar ato që perceptojnë si kërcënime, pra janë të afta ta nisin vetë luftën.

Kur kalohet caku në këtë fushë dhe teknologjia e lartë bëhet armë standard – dhe kompjuterët bëhen ekzekutuesit kryesorë të strategjisë – bota do ta gjejë veten në një gjendje për të cilën ende nuk ka një koncept të përcaktuar. Si mund të ushtrojnë kontrollin drejtuesit kur kompjuterët përshkruajnë udhëzime strategjike në një shkallë dhe në një mënyrë që në thelb kufizon dhe kërcënon kontributin njerëzor? Si mund të ruhet qytetërimi mes një vorbulle të tillë informacionesh, perceptimesh dhe aftësish shkatërruese konfliktuale?

Nuk ekziston ende asnjë teori për këtë botë alternative dhe përpjekjet konsultative për këtë temë ende nuk kanë evoluar – ndoshta sepse negociatat kuptimplota mund të zbulojnë arritje të reja dhe se vetë zbulimi përbën një rrezik për të ardhmen. Kapërcimi i vijës midis teknologjisë së përparuar dhe konceptit të strategjive për ta kontrolluar atë, apo edhe kuptimi i implikimeve të saj të plota, është një çështje po aq e rëndësishme sot sa edhe ndryshimi i klimës dhe kërkon liderë që e njohin teknologjinë dhe historinë bashkë.

Kërkimi për paqen dhe rendin ka dy komponentë që ndonjëherë trajtohen si kontradiktorë: arritja e elementeve të sigurisë dhe kërkesa për akte pajtimi. Nëse nuk mund t’i arrijmë të dyja, nuk do të arrijmë dot asnjërën. Rruga e diplomacisë mund të duket e ndërlikuar dhe e mundimshme. Por përparimi drejt saj kërkon vizion dhe guxim për të ndërmarrë udhëtimin.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit