Kryeministri Albin Kurti, sot është deklaruar lidhur me kërkesën e Serbisë drejtuar KFOR-it për kthimin e një mijë ushtarëve serbë në Kosovë.
Ai tha se “edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vinë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë”.
Kurti deklaroi se kjo kërkesë e Serbisë është “më shumë shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”.
“Ata e kanë bërë një kërkesë KFOR-it me sa di, tash natyrisht ajo është një kërkesë jo reale e cila flet më shumë për ata sesa për vendin tonë, kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serb në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet.
Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vinë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, u shpreh Kurti.
Kujtojmë që Serbia po kërkon kthimin e këtyre ushtarëve duke u bazuar në Rezolutën 1244. Kjo kërkesë erdhi pas tensioneve të vazhdueshme në Veri, më saktësisht, pas arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Ndërkohë, KFOR-i ende s’ka bërë publike ndonjë përgjigje se çfarë u ka thënë autoriteteve serbe për këtë kërkesë.