Sot nisën punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Kryeministri Edi Rama ishte i qetë, pasi u shpreh se kishte që në 1998 që ia kishte vënë syrin për ta shembur.
Kreu i qeverisë pasi sulmoi opozitën, mori shembullin e stadiumit duke thënë se ashtu do të transformohet edhe Teatri i ri Kombëtar për aktivitete ndërkombëtare.
“Unë ia kisha shpallur luftën asaj godine që në 1998 kur u bëra ministër Kulture dhe kaloi shumë kohë. Nga 1988 deri më sot, mund ta kishim Teatrin Kombëtar shumë kohë më parë. Por besoj se nuk do të kishim pasur këtë projekt që kemi sot.
Mund të kishim pasur një teatër të mirë dhe modern, por nuk do të kishim arritur në këtë projekt, që shkon përtej një teatri kombëtar të mirë për Shqipërinë. Është një tjetër gurë i çmuar në një gjerdan vepra që e kanë nxjerrë Tiranën jashtë kornizës së vetes dhe e kanë konceptuar si kryeqytet europian.
Ashtu si stadiumin, ne e ndërtuam dhe askujt nuk i vinte mendja që në Shqipëri të luhej një finale europiane dhe që Tirana të ishte destinacioni i një finaleje Europiane që të merrte sytë e të gjithë botës mbi vete. Ja pra ndodhi.
E njëjta gjë do të ndodhë me teatrin, që nuk do të jetë vetëm destinacion për komunitetin tonë të artistëve, por do të jetë një vend që pa diskutim do të organizohen edhe aktivitete ndërkombëtare, festivale” tha Rama.