Bashkimi Evropian bëri thirrje për heqjen e barrikadave nga pjesa veriore e Kosovës dhe tha se është i angazhuar në lehtësimin e shtendosjes së situatës në këtë pjesë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët për të shtendosur situatën në pjesën veriore me qëllim të sigurimit të një mjedisi të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Thirrjet e BE-së u bënë në ditën kur serbët lokalë organizuan një protestë në Rudar, në pjesën veriore të Kosovës, në kundërshtim të, siç thanë, politikave të Qeverisë së Kosovës. Prej afro dy javësh, së paku nëntë barrikada u ngritën në veriun e vendit.
“Bashkimi Evropian, së bashku me partnerët e tij, vazhdon të jetë plotësisht i angazhuar në lehtësimin e shtendosjes së situatës në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që të sigurohet një mjedis i qetë dhe i sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ishte i qartë, javën e kaluar, se barrikadat duhet të hiqen. Përfaqësuesi i Lartë dhe i dërguari i Posaçëm i BE-së, Lajçak, janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët dhe do të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç ka thënë edhe Përfaqësuesi i Lartë”, tha Stano, për RTV21.