Një person i armatosur ka hapur zjarr në qendër të Parisit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur katër të tjerë.
Dëshmitarët thanë se sulmuesi kishte në shënjestër një qendër dhe restorant të komunitetit kurd dhe prokurorët thanë se do të shqyrtonin një motiv të mundshëm racist.
Një i dyshuar i moshës 69 vjeçare u arrestua shpejt. Ai rezulton se është liruar nga burgu së fundmi.
Autoritetet apeluan që njerëzit të shmangin zonën në Strasburg-Saint Denis në lagjen e 10-të të Parisit.
Nuk ka asnjë motiv të konfirmuar për të shtënat, por prokurorja e Parisit Laure Beccuau konfirmoi se i dyshuari sapo ishte liruar, një vit pasi ai kishte sulmuar tendat në një kamp emigrantësh në Paris me shpatë. Ai incident ndodhi në Bercy më 8 dhjetor 2021. Nuk ishte e qartë pse ai ishte liruar.
Kryetarja lokale Alexandra Cordebard tha se i dyshuari u plagos gjithashtu në të shtënat dhe se tre vende ishin vënë nën zjarr: qendra e komunitetit kurd, një restorant dhe një parukeri. Dy persona janë qëlluar me armë zjarri në sallon.