Njohësi i rrethanave politike dhe raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Edward P. Joseph ka shtruar disa pyetje dhe ka dhënë disa propozime për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n në lidhje me situatën në veri të vendit.
Joseph ka thënë se SHBA dhe BE kanë të drejtë të kërkojnë përmbajtje maksimale, por jo edhe t’i cilësojnë barrikadat formë paqësore protestimi.
“Barrikadat janë kufizim kërcënues, i paligjshëm i lëvizjes, duke çuar përpara një agjendë armiqësore. SHBA dhe BE thjesht duhet të kishin thënë “nuk ka lista arrestimi”” ka shkruar ai.
Një gabim tjetër sipas tij që kanë bërë SHBA dhe BE është sugjerimi që vetëm komunitetet joshumicë kanë nevoje për garantim për gjykime të drejta.
“Sipas serbëve të Kosovës, Beogradi është përgjegjës për frikësimin e dëshmitarëve në gjykimin për vrasjen e Ivanoviqit”, ka shkruar tutje ai.
Gjithashtu, ai ka thënë se SHBA dhe BE kanë gabuar duke mos e përmendur KFOR-in dhe se janë edhe më gabim duke sugjeruar që Beogradi ka një të drejtë që të kërkojë kthimin e trupave serbe në Kosovë.
“Vetëm ta konsiderosh këtë gjë, e minon autoritetin e KFOR-it në një krizë të shkaktuar nga Beogradi”, ka shkruar Joseph.
Ai u ka bërë një pyetje zyrtarëve të dy superfuqive, se përse kriza në Ukrainë e ka afruar Serbinë me Rusinë. Sipas analistit, përderisa Serbia mban Kosovën si levë, nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve.
Ai ka thënë se ndikim pozitiv do të kishte njohja e pesë vendeve të BE-së për Kosovën dhe kthimi i trupave të Spanjës dhe Sllovakisë në kuadër të KFOR-it.