Plagosja e dy serbëve në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë që drejtohet nga Petar Petkoviç ka thënë se është një tentativë për të vrarë fëmijët e pafajshëm serbë.
“Ata kanë marrë plagë me armë zjarri, njëri djalë është qëlluar në dorë dhe tjetri në shpatull dhe vetëm për fat të tyre nuk kanë pësuar lëndime apo rrezik për jetën. Në këto momente po transportohen për në Qendrën Spitalore Klinike në Graçanicë, ku do të kenë kujdesin më të mirë të mundshëm. Është një tentativë evidente për të vrarë fëmijët e pafajshëm serbë të cilët janë shqetësuar vetëm për shkak se kanë veshur pemën e Krishtlindjes dhe kështu kanë treguar qartë se janë serbë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se ky sulm është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës anti-serbe të kryeministrit kosovar, Albin Kurti.
“Ky lloj sulmi është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës antiserbe të Albin Kurtit, i cili me sjelljen dhe veprimet e tij inkurajon të gjithë ata që duan gjak serb, edhe në Krishtlindje. Kërkojmë reagim urgjent dhe të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare dhe Zyra për Kosovë dhe Metohi do t’u ofrojë familjeve dhe të lënduarve të gjithë ndihmën e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Dy të rinj serb u qëlluan ditën e sotme me armë zjarri në afërsi të Shtëpcës në Kosovë, nga një makinë në lëvizje.
Dy kushërinjtë Stefan Stojanoviç, 11 vjeç, dhe Millosh Stojanoviç 21 vjeç janë qëlluar nga një shqiptar teksa ishin duke ecur në anë të rrugës dhe mbanin pemën e Krishtlindjes, kur sulmuesi hapi zjarr ndaj tyre.
Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar dyshohet se autori është pjesë e Forcave të Armatosura të Kosovës.