E pe videon e gjyshes që kur i thanë se vdiq Rama klithi “korba, na ikën 160 mijë lekët!”
Kishte hall e shkreta se po vdiq Rama ajo dhe i shoqi nuk do i merrnin më pensionet.
Nëse do të kuptosh se çfarë është personalizimi i pushtetit, mjafton kjo video. Aty duket se si votuesi i zakonshëm e ngatërron kryeministrin (njeriun) me shtetin (institucionin).
Mirëpo, jo vetëm që Rama nuk i ka paratë e veta ato që po shpërndan, por në fakt një lek e jep dhe dy i fut në xhep.
Në të paktën 260 ditë të vitit që shkoi mbi 520 mijë shqiptarë u zgjuan herët në mëngjes, u veshën, u sulën nëpër autobuzë e makina, për të shkuar në punë në sektorin privat.
E pasi punuan të paktën 8 orë në ditë (40 orë në javë), i dhanë shtetit mbi 4 miliardë euro përmes taksave.
Administrata, nën drejtimin e Ramës, i mori këto para dhe sipas KLSH-së mbi 1 miliardë i shpërdoroi, ndërsa 2 miliardë ia dha oligarkëve përmes koncesioneve. Pjesën që mbeti e shpërndau rroga për 180 mijë nëpunës civil, dhe pensione.
Për më tepër në Shqipëri taksohet konsumi.
Kështu që, gjatë 2022 kur 660 mijë pensionistët shkuan për të blerë bukë dhe qumësht, 20% të çmimit ja dhanë Ramës përmes TVSH-së.
Dhe kur mbi 630 mijë vetë i hodhën naftë makinës i dhanë 70% prapë Ramës.
E meqë vitin që shkoi çmimet e ushqimeve dhe naftës u rritën, të gjithë këta bashkë i dhanë Ramës rreth 400 milion Euro më tepër.
E meqë ishte kohë krize, Rama i mori 65 milion € nga këto dhe ia dha direkt 300 ndërtuesve me të cilët ndan pasurinë publike (rreth 220 mijë euro për ndërtues).
Tani paska vendosur t’iu japë 70 euro (8000 lekë) pensionistëve si nëna që shihet në video, e cila llogarit se bashkë me të shoqin “do marrin 160 mijë lekë” (të vjetra).
Unë vdekjen nuk ja uroj Ramës, por besoj që nëse ai nuk do ishte më kryeministër, zonja (si pensioniste) do merrte të paktën 600 euro kompensim për rritjen e çmimeve. Bashkë me burrin 1200 euro.
Dhe si qytetare këtij vendi ajo do kursente 500 euro shërbime publike, të cilat nuk do ishin shpërdoruar, por do shkonin për spitalet dhe transportin. Pra bashkë me burrin do kursenin edhe 1000 euro të tjera.
Kështu që nëne, kur ta marrësh vesh që Rama është gjallë dhe akoma kryeministër thuaj “korbaaa na ikën edhe 2200 euro”