Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona s pasi shpërndanin drogëra të forta, në lokaletet natës, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Të arrestuarit janë Arbër Bardhi, 25 vjeç dhe Vilson Çepele, 38 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur E.Ç, 26 vjeç.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të hetimeve të kryera me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për goditjen e aktivitetit kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Clubs”.
Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. B., 25 vjeç dhe V. Ç., 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive ka rezultuar se këta 3 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të drogave të forta, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në klubet e natës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokaine, 1 tabelë policie, 3 automjete, 5 aparate celulare, 1 peshore elektronike, 76 800 lekë të rinj dhe 175 euro, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve.“, thuhet në njoftimin e policisë.