Kryeministri Edi Rama ishte i ashpër në mbledhjen e sotme me grupin e deputetëve të tij duke i vlerësuar një për një të gjithë.
Këtë e konfirmoi kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla pas mbledhjes. Ai tha se u kërkua që deputetët të rrisin prezencën në terren, aq më tepër që jemi përpara zgjedhjeve lokale.
“Kryeministri ka pasur një sërë kërkesash që i bëjnë mirë punës së anëtarëve të grupit të PS-së po të kemi parasysh edhe kontekstin e ri në 2023, zgjedhjet vendore.
Seanca lidhet me një vlerësim nominal për çdo deputet, por edhe pjesëmarrjen, aktivitetit dhe prezencës” tha ai. Nga “fshikullimi” nuk bënë përjashtim as ministrat, mes tyre Olta Xhaçka.
Për kthimin e dekretit të Presidentit Begaj për ligjin e dekoratave, Balla tha se “Dekreti do të shqyrtohet me vëmendje nga ana jonë.
Do të konsultohemi me Presidencën mbi gjetjet dhe konstatimet për të adresuar sa të kemi mundësi një pjesë të rekomandimeve.
Ky është Presidenti normal. Fakti që sjell një sërë rekomandimesh mendoj se është në të mirën e parimeve që ne t’i shqyrtojmë me vëmendje” tha ai.
Ishte i bindur kur tha se “amnistinë fiskale do ta miratojmë këtë sesion”. Një tjetër çështje që pret zgjidhje është Avokati i Popullit. “Na duhet një avokati i popullit dhe jo partisë”.
Kur vjen puna te arrestimet e zyrtarëve të lartë, mes tyre i fundit sekretari i ministrisë së Financave, Balla tha se “Nuk kam asnjë koment kur flitet për arrestime, vetëm për përshëndetje. Përgjegjësitë janë personale. Le të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet”.
Në fund, kryetari i grupit socialist nuk e mohoi aplikacionin “Aktiv1st”-i për shpërndarjen e lajmeve në rrjetet sociale. “Mos u habisni që PS të ketë fushatën e vet edhe në rrjetet sociale, por gjithçka është e bazuar në respekt të ligjit zgjedhor” përfundoi ai.
Prezantohet Agron Çela! Rama “fshikullon” Xhaçkën dhe deputetët socialistë