Paraditen e sotme në Durrës, Krujë edhe Shijak janë çmontuar kamerat e grupeve kriminale të vendosura në ambiente publike për të kontrolluar territorin dhe kundërshtarët. Në këto tre qytete janë evidentuara 47 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin.
Nën hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private të tjerëve, janë marrë 8 persona nga këta, 2 në Durrës, përkatësisht Plarent Dervishaj dhe Dejvid Karaboja dhe 6 në Shijak; Albert Muharremi vëllai i atij që njihet si “Rrumi i Shijakut”, Xhulio Vora, Astrit Balliu (Avdyli), Jasin Kala (Avdyli), Altin Avdyli dhe Sajmir Gjepali.
Por kush është Plarent Dervishaj?
Ish-anëtari i bandës së Durrësit, ka edhe një tjetër urdhër arresti nga dita e sotme. Ai është në kërkim edhe për vrasjen e Vajdin Lames.
Dervishaj është ish-kunati i Lulzim Berishës dhe një prej personazheve kryesore të Bandës së Durrësit.
Plarent Dervishaj u arrestua në Dubai, por u la i lirë, pas shpalljes së tij në kërkim pas rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë Luftar Reçit, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut.
Në këtë vrasje, Reçi ka treguar se e ka kryer së bashku me Indrit Taullaun dhe Plaurent Dervishajn, i cili vazhdon që të jetë në Dubai.
Nga ky vend i cilësuar si “parajsa e kriminelëve” ai kontrollonte lëvizjet e policisë dhe të rivalëve në Durrës.
Syri i krimit! Avdylajt, vëllai i “Rrumit” dhe Dervishaj blinduan me kamera Durrësin e Shijakun