Ish-presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiç tha se nuk do ta nënshkruante propozimin franko-gjerman për Kosovën dhe se qeveria aktuale ka përgjegjësi historike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ai vuri në dukje se absurdi më i madh është se pushteti i Vuçiçit e humbi Kosovën në paqe.
Tadiç tha se përgjegjësia e këtij pushteti për pozitën e Serbisë sot në kontekstin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës është e madhe “nëse merret parasysh se të njëjtat opsione kanë qenë në pushtet në vitet nëntëdhjetë, sigurisht që mund të flasim për përgjegjësi historike”.
Ai theksoi se “vetëm gjatë qeverisjes sonë arritëm të mbrojmë në paqe atë që nuk u humb në luftë, edhe pse në kohën tonë ishte shpall zyrtarisht pavarësia e Kosovës. Paradoksi historik apo ligjshmëria, varësisht nga këndvështrimi, është se të ashtuquajturat forca nacionaliste dhe patriotike ishin më së paku mbrojtëse ndaj interesave patriotike, ndërsa ne, që akuzoheshim për tradhti, dolëm të ishim i vetmi opsion vërtet patriotik”.
“Atë që kam parë deri tani dhe çfarë është shfaqur në publik, nuk do ta nënshkruaja. Dhe ndryshe nga të tjerët, këtë nuk e them në mënyrë demagogjike, por qëndroj me pjesën time pas, pasi nuk pranova të nënshkruaj atë që më vonë u nënshkrua nga ky pushtet si Marrëveshja e Brukselit”.
Sipas tij, nëse do të nënshkruhej një marrëveshje brenda kornizës që po diskutohet në qarqet publike dhe ndërkombëtare do të jetë shumë më e vështirë pothuajse e pamundur, që Serbia të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.