Konferenca e Kryetarëve futi në kalendarin e punimeve të Kuvendit kërkesën për interpelancë urgjente të kërkuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj me kryeministrin Rama për skandalin McGonigal. Interpelanca pritet të zhvillohet në seancën e radhës, të enjten.
Zyra e shtypit të Alibeajt thotë se përfaqësuesja e PD në Konferencën e Kryetarëve, Flutura Açka ka ngritur me forcë shqetësimin për mënyrën se si u mbyll seanca e shkuar duke shmangur kështu debatin për skandalin McGonigal. Açka e quajti fashizëm parlamentar atë që ndodhi në Kuvend.
“Po ndodh fashistizimi i Parlamentit. Në nuk jemi as prokurorë dhe as inkuizitorë por jemi mandatuar të kërkojmë llogari dhe mbyllja e seancës është shkelje e Rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës së Republikës”, mësohet të ketë thënë deputetja demokrate.