Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ditën e sotme është takuar me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit.
Haradinaj u shpreh për mes një postimi në llogarinë e tij në Facebook se me Escobar ka diskutuar për nevojën e arritjes së marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë,
“U ndjeva i nderuar sot në Departament të Shtetit të takoj emisarin amerikan z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë. Në një takim të hapur dhe të sinqertë diskutuam zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij dhe të administratës amerikane tash e shumë dekada dhe inkurajova për thellim të marrëdhënieve dhe që mbështetja ndaj Kosovës të shtohet”, shkruar Haradinaj.
Ai shtoi se arritjet e Kosovës nga vitet e ’90-ta, lufta çlirimtare dhe shtet ndërtimi kanë ndodhur në partneritet të përbashkët me SHBA-në.
“Edhe Marrëveshja Finale duhet të jetë fitore e përbashkët. Do të punojmë ngushtë me ShBA-të që partneriteti për paqe dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO të arrihet me urgjencë pasi që është jetike për paqe të qëndrueshme në rajon”, shtoi ai.