Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të shtunë zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook. Kryetari i PD-së u përqendrua te dosja e skandalit “McGonigal” dhe lidhjen sipas tij me qeverinë dhe vetë Edi Ramën me qëllim goditjen e opozitës.
Ai deklaroi se nëse vjen në pushtet do të prekë reformën në drejtësi. “Korrigjimet dhe riformimi i sistemit të drejtësisë dhe nxjerrja e Sorosit nga sistemi do të ndodhë” tha ai.
“Këtu mafia e Sorosit, në një lobim korruptiv me Ramën, ia dolën të fitojnë të marrin firmën e Blinken për shpalljen non-grata të një njeriu që gjatë karrierës kishte dy epitete: shumë pro-amerikan dhe i pakorruptuar. Mbi bazën e kësaj linje, guvernatorja Yuri Kim u shndërrua në mbështetësen më fanatike të organizatës kriminale të Edi Ramës.
Ajo nuk ka gur pa luajtur, nuk la përpjekje pa bërë për të vazhduar kontrollin e plotë ndaj opozitës shqiptare për llogari të Edi Ramës. Nuk la mbështetje pa dhënë, nuk la rast pa treguar fanatizmin e saj në mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe kësaj bande mafioze” tha ai.
Ai u pyet se përse po hesht për Arben Ahmetajn dhe lidhjen e tij me inceneratorët? “Për Arben “Tigrin”, Sali Berisha dhe opozita ka folur më shumë se për cilindo tjetër. Arben “Tigri” është në mbrojtjen e SKAP-it dhe Edi Ramës, pasi një qime floku po i lëvizi Ben “Tigrit” bie qeveria dhe vetë SKAPi-. Mos mendoi se Sali Berisha dhe opozita kursen njeri” tha ai.