Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko është shprehur se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për të pushtuar Kievin. “The Times” në një analizë të gjatë sjell në vëmendje luftën në Ukrainë.
Pjesë nga artikulli:
Një natë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, Vitali Klitschko, kryetari i bashkisë së Kievit, vendosi alarmin për orën 3 të mëngjesit. Pak pas orës 4 të mëngjesit filloi bombardimi. Një vit më vonë nuk ka plane të veçanta lidhur me luftën, megjithatë për një gjë ai është mjaft i sigurt se Kievi është ende objektivi i vërtetë i rusëve.
Ndërsa afrohet përvjetori i pushtimit, zyrtarët ukrainas po paralajmërojnë për një sulm të ri. Pavarësisht paralajmërimeve, pushtimi i vitit të kaluar erdhi si një tronditje për shumë njerëz dhe kryeqyteti ishte i papërgatitur për sulmin e plotë frontal që përfundimisht u zmbraps. Por ajo që Putin ka rezervuar është një gjenocid i vërtetë.
Që nga fillimi i dimrit, Kievi është sulmuar nga një fushatë ajrore ruse për të shkatërruar infrastrukturën e tij , duke i lënë qytetarët pa energji dhe ujë. Pasi kaloi verën duke u kërkuar ukrainasve jashtë shtetit që të ktheheshin në shtëpi në kryeqytetin kryesisht të sigurt, Klitschko u detyrua t’u kërkonte atyre të qëndronin larg, nga frika se qyteti mund të duhej të evakuohej nëse një errësirë totale do të përfshinte vendin. Klitschko pranon se skenari u afrua në mënyrë të pakëndshme.
Një vit lufte ka transformuar krejtësisht jetën e kryebashkiakut 51-vjeçar dhe ish-kampionit botëror të boksit në peshat e rënda. I dyti pas Presidentit Zelensky në listën e vrasjeve ruse, ai ende fle çdo natë në vende të ndryshme.









