Brenda tre javësh që pas publikimit të skandalit “McGonigal” Edi Rama nuk ka gjetur qetësi. Tre seancat që janë zhvilluar në parlament ka munguar.
Ka refuzuar interpelancën dhe pyetje- përgjigjet, ndërsa ka shtyrë mocionin me debat që opozita u bë bashkë dhe e kërkoi me këmbëngulje. Komisioni hetimor gjithashtu është refuzuar. Por nuk ka mjaftuar me kaq. Si rrallëherë.
Në një situatë të paprecedentë më parë, shumica socialiste ka firmosur brenda tre javëve 17 përjashtime. Në 27 janar pas bllokimit të seancës plenare nga opozita u përjashtuan për 10 ditë Sali Berisha, Edi Paloka, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi. Në seancën e radhës në tetë shkurt ishte e njëjta panoramë.
PS nuk nguroi dhe firmosi te Komisioni i Etikës përjashtimin e tetë deputetëve; Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Ina Zhupa, Luan Baçi, Tritan Shehu, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati. Nuk kishte asnjë ndryshim në seancën e së hënës që lamë pas.
Opozita rezultoi në foltore dhe shumica e deputetëve të PS-së sot miratuan përjashtimin e katër deputetëve të tjerë. Sali Berisha dhe Flamur Noka janë përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit për shkak të incidenteve në seancën e së hënës.
Ndërsa Edi Paloka dhe Belind Këlliçi janë përjashtuar për 5 ditë. Argumenti ishte bllokimi i seancës përdorimi i fjalëve orgji nga Sali Berisha, bilbili që i fryri Flamur Noka dhe stativi i telefonit që futi në parlament Belind Këlliçi.
Në total 17 urdhra përjashtimi, 13 deputetë nga një herë dhe 4 të tjerët, Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Belind Këlliçi për herë të dytë.
Mazhoranca ka përdorur dy standarde me penalizimin e dhënë për deputetët e opozitës. Një skenë e ngjashme në Parlament është zhvilluar edhe në vitin 2006, kur Partia Socialiste ishte në opozitë.
Pamjet u publikuan sot nga deputeti Flamur Noka, ku shfaqen deputetët e PS-së, të cilët bllokonin punimet e Kuvendit, në kohën kur ishte kryeparlamentare Jozefina Topalli në qeverinë Berisha.
Në video shfaqen ish-deputetë të PS-së Pandeli Majko, Erion Braçe, Arta Dade, Valentina Leskaj, Musa Ulqini, Namik Dokle, Kastriot Islami e të tjerë, të cilët ishin mbledhur në foltoren e Kuvendit dhe nuk lejonin fjalimet duke përdorur bilbila e vuvuzela.
Qeveria e PD-së asokohe nuk mori masa për përjashtimin e deputetëve opozitarë nga seancat parlamentare. E kundërta ndodhi sot me qeverinë socialiste.
Nesër nëse Edi Rama shkon në parlament nuk do ta ketë përballë Sali Berishën dhe një pjesë të opozitës së drejtuar prej tij, e cila do të jetë jashtë në protestë në tentativë, sikur tha, ish-kryeministri për ta penguar që të futet brenda seancës.