Sot Komisioni i Etikës në Kuvend do të vendosë për fatin e gjashtë deputetëve të PD-së, që PS kërkon t’i përjashtojë pas incidenteve të fundit në seancën e së enjtes.
Por selia blu ka reaguar disa orë përpara vendimit duke evidentuar faktin që mbledhja bëhet jashtë afatit dhe mbi të gjithë thotë se në listën e atyre që kanë kërkuar përjashtimet është edhe deputeti Baftjar Zeqo, i cili u kap duke shkelur rregullore me të dyja këmbët, pasi votoi për vete dhe kolegen në një nga seancat e fundit.
“Deputetë të PS kërkojnë përjashtimin e 6 deputetëve të tjerë të opozitës. Kërkesa mban firmëtar të parë Baftjar Zeqajn i cili u kap nga media duke shkelur Rregulloren e Parlamentit pasi votoi hapur për kolegen socialiste e cila nuk ndodhej në seancë.
Me këtë kërkesë rreth gjysma e grupit parlamentar të PD është përjashtuar nga seancat e fundit parlamentare. Seancën e së enjtes nuk do të jenë prezentë 8 deputetë mes tyre Kryetari i PD Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka.
Me një akt të papreçedentë, socialistët në mungesë argumentash mbrojtës për skandalin e lidhjeve korruptive të Edi Ramës dhe McGonigal, kanë zgjedhur që çdo seancë të përjashtojnë deputetë të opozitës.
Socialistët sërish në shkelje kërkojnë mbledhjen e Sekretariatit jashtë afatit, 4 ditë pas dorëzimit të kërkesës. Sipas Rregullores, sekretariati duhej të ishte mbledhur 48 orë pas dorëzimit të kërkesës së deputetëve socialistë, pra më datë 19 shkurt” mbyllet deklarata.
Sekretariati për Proçedurat dhe Votimet pritet të përjashtojë deputetët e PD;
- Edmond Spaho
- Elda Hoti
- Sorina Koti
- Oerd Bylykbashi
- Lindita Metaliaj
- Greta Bardeli
PS kërkon përjashtimin e 6 deputetëve të PD-së, sot mblidhet Komisioni i Etikës