Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ndodhen në Bruksel për të diskutuar një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Të dy udhëheqësit tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.
Kurti në Bruksel po shoqërohet edhe nga profesori britanik Marc Weller, i cili ishte këshilltar për Kosovën edhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.
Përveç kësaj, profesori Weller shërbeu si këshilltar i lartë ligjor në procesin e Vjenës të negociatave për statusin përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga OKB-ja në vitet 2006-2007. Më pas ai kontribuoi në hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe hartoi Ligjin për Mbrojtjen e Minoriteteve në Kosovë dhe Statutin e Këshillit Konsultativ të Komuniteteve.
Marc Weller është edhe autor i librit “Contested Statehood: Kosovo’s Struggle for Independence”. Duket se britaniku do t’i hyjë në punë Kurtit pikërisht për çështjen e pakicave ose rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe që po kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët.