Pjesëtar i një grupi kriminal që merrej me drogë dhe armë në Spanjë, kapet nga Policia e Fierit, me qëllim ekstradimin, 67-vjeçari. 10 ditë më parë, Policia vuri në pranga një 22-vjeçar, pjesëtar i po këtij grupi kriminal.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Sektorit Operacional të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë organizuar dhe finalizuar fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Member”.
Në kuadër të kësaj faze, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, u kap dhe u arrestua përkohësisht, për t’u ekstraduar drejt Spanjës, shtetasi Gjolekë Pazaj, 67 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Organizata kriminale”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Spanjës.
Nga hetimet e kryera në këtë shtet, ka rezultuar se 67-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, përshtatnin ambiente të mbyllura, në qytete të ndryshme të Spanjës, për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. Më 18 shkurt, Policia e Fierit, në kuadër të operacionit “Member”, vuri në pranga me qëllim ekstradimin, shtetasin Xh. A., pjesëtar i të njejtin grup kriminal. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.