Qeveria shqiptare në mbledhjen e djeshme me firmë të zv/ kryeministres Belinda Balluku vendosi që të miratonte dhe të kalonte nga fondi i shtetit në dorë të privatit 281 prona në Durrës me total 818 mijë m2 për projektin e “Durrës Yachts & Marina” që do të ndërtojë biznesmeni i njohur arab Alabbar dhe që shkaktoi për shumë muaj reagime dhe protesta nga opozita. Vendimi është botuar dje në Fletoren Zyrtare.
Pronat për mbështetjen e investimeve strategjike kalojnë tek kompania “Albanian Seaports Development Company”, e cila do të jetë bashkë-aksionere në projekt me kompanitë “Eagle Hills Real Estate Development” dhe “NSHMI Development l.l.c” që përfaqësojnë investitorin Mohamed Alabbar.

Investimi sipas qeverisë shqiptare që i vendosi firmën dhe vulën e fundit projektit në janar të këtij viti është gati 2 miliardë Euro. “Durrës Yachts & Marina” është një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku).

Projekti “Marina & Jahtet e Durrësit” filloi shitjen e apartamenteve përpara se të miratohej në parlament. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare. Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. Porti i mallrave do të zhvendoset në Porto Romano.










