Kreu i degës së PD-së në Elbasan nga krahu i Bashës dhe Alibeajt Eugen Isai në një postim në Facebook shprehet se Luçiano Boçi që doli nga “Primaret” e Sali Berishës ka mbështetjen edhe të pjesës tjetër të PD-së. Isai kërkon që ky shembull të ndiqet edhe nga bashkitë e tjera për të bashkuar opozitën me një kandidat të vetëm.
“65 ditë përpara zgjedhjeve, Elbasani është përpara sfidës së madhe për të sjell ndryshimin, për të bërë të mundur mireqeverisjen për çdo qytetarë të Elbasanit, për të ofruar më mirë shërbimet për qytetarët. Që ndryshimi të jetë i mundur, opozita, Partia Demokratike, e ka të domosdoshme të prezantohet me një kandidat unik e fitues.
Nga selia e Partisë Demokratike, nga një pjesë e Partisë Demokratike, është propozuar si kandidat kolegu Luciano Boci. Në emër të Partisë Demokratike Dega Elbasan, dua të shpreh vullnetin tonë të plotë, që zoti Boci të jetë kandidat unik i të gjithë demokratëve.
Zoti Boci ka dalë kandidat nga selia e PD Elbasan dhe ka përgjegjësinë të jetë kandidat i PD Elbasan. Prandaj thirrja ime sot është të lëmë mënjanë konfliktin e shkaktuar në qendër dhe që është shtrirë deri në bazë, dhe të jemi të gjithë bashkë me një kandidat, kandidat i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Demokratët dhe qytetarët e Elbasanit presin sot që ne të bëjmë betejë për to, por të sjell ndryshimin, për të mundur Edi Ramën. Betejat për të tjerët, për individët, nuk janë beteja të demokratëve, nuk janë beteja të qytetarëve të Elbasanit që presin ndryshimin” shkruan ai.