Rrustem Gjata, ish-kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe një nga konstitucionalistët më të shquar të Shqipërisë, ndërroi jetë. Lajmi ka trishtuar jo vetëm familjen e tij, por edhe shumë kolegë dhe bashkëpunëtorë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu dhimbjen e thellë dhe vlerësimin për kontributin e Gjatës në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar pas rënies së diktaturës.
Postimi i plotë i Sali Berishës:
“Rrustem Gjata mbylli sytë përgjithmonë
Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për Rrustem Gjatën, një prej civilistve dhe konstitucionalistëve më të shquar të Shqipërisë. Ish-deputet i Partisë Demokratike dhe pedagog i respektuar, Doktor i Shkencave në Fakultetin e Drejtësisë, Rrustem Gjata do të ishte ndër juristët e parë që do të mbështeste dhe do të bashkohej me opozitën shqiptare dhe Partinë Demokratike që në hapat e parë të themelimit të saj. Ai dha një kontribut të madh në zëvendësimin e legjislacionit të diktaturës komuniste me ligjet e reja, si dhe në udhëheqjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Rrustem Gjata u zgjodh nga Parlamenti si Kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese, të cilën e drejtoi me kompetencë dhe integritet të lartë që nga themelimi i saj deri në vitin 1997 – vit në të cilin ata që erdhën me dhunë në pushtet e larguan me një puç antikushtetues.
Përveç kontributit të tij në jurisprudencën e kësaj gjykate, që hodhi bazat e drejtësisë kushtetuese në Shqipëri, Rrustem Gjata është autor i një morie artikujsh, referencash e monografish në fushën e së drejtës, kryesisht të asaj private. Monografitë e tij mbi të drejtën civile, pronësinë, detyrimet dhe kontratat, përgjegjësinë civile, dëmin kontraktor e jashtëkontraktor, janë një kontribut i vyer dhe udhërrëfyes për përgatitjen e qindra dhe mijra juristëve të rinj.
Duke shprehur respektin dhe vlerësimin tim të madh për kontributin e shquar të Dr. Rrustem Gjatës, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar.
Ngushëllime, Sali Berisha!”.
/5pyetjet.al









