-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shaban Murati: Kosova dhe lojërat me “sanksionet e Serbisë”

Kryesoret

Beogradi shpërtheu një “bombë diplomatike”, e cila vuri në ekstazë të gjithë filoserbët e vjetër dhe të rij në diplomacinë perëndimore, me iluzionin optik që Serbia po i afrohet hap pas hapi finales së vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Në 13 mars ministri i ekonomisë i qeverisë së Serbisë, Rade Baste, deklaroi se duke parë që presidenti Vuçiç po vuan shumë duke i rezistuar presionit perëndimor për zbatimin e saksioneve të BE ndaj Rusisë, iu drejtua qeverisë me thirrjen që të verë në zbatim sanksionet ndaj Rusise.

Ministri Basta, i cili është lauruar për mësues fizkulture dhe ka qenë polic dhe kikboksier (dhe të cilit siç ndodh rregullisht me çudirat ballkanike presidenti Vuçiç i besoi portofilin e ministrit të ekonomisë në qeverine e re të tetorit 2022) u bë sensacion i ditës.

Ministri sportist i ekonomisë zbuloi se presidenti Vuçiç përveç zjarrit të jashtëm nga BE, SHBA, NATO dhe Parlamenti Europian për “sanksionet e Serbisë”, tani po përballet dhe me një zjarr të brendshëm për sanksionet. Figura e heroizimit folklorik ballkanik të presidentit serb mori kështu një dimension të ri diplomatik dhe publik.

Nuk ka tallje më të madhe me diplomacinë dhe me opinionin publik perëndimor se sa e ashtuquajtura çeshtje e sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë. Është një çeshtje e shpikur nga Serbia dhe disa protektorë të saj europianë. Të ashtuquajturat “sanksione të Serbisë” ndaj Rusisë nuk kanë asnjë vlerë reale politike dhe ekonomike dhe asnjë efekt minimal për Moskën.

Rusia, që nuk po pyet as për sanksionet kolektive të 30 shteteve të BE dhe as për sanksionet e SHBA ndaj saj, a mundet vallë t’i kushtojë një minutë vëmendje sanksioneve të një mikroshteti të varfër ballkanik si Serbia, e cila gjithë-gjithë eksporton në Rusi vetëm 3 përqind të eksportit të saj?

Por “sanksionet e Serbisë” nuk kanë asnjë vlerë gjeopolitike dhe strategjike as për BE dhe për NATO-n, sepse edhe sikur të zbatojë sanksionet antiruse, Serbia do të mbetet aleati strategjik i vetëm dhe ushtari i komanduar i Kremlinit në skakierën ballkanike. Diplomacia e BE bën sikur nuk e sheh mosvlerën e “sanksioneve të Serbisë” dhe e  ndihmon Serbinë në pompimin e kësaj çeshtje artificiale.

Presidenti i Serbisë ka një vit të agresionit rus në Ukrainë, që e sjell vërdallë dipomacinë e BE-se me çeshtjen e sanksioneve dhe shet ajër diplomatik në takimet e nivelit të lartë dhe nëpër korridoret diplomatike europiane, sikur atij i ka vajtur thika në rrasht nga kërkesa per sanksionet. Presidenti serb e fryu aq shumë çeshtjen e sanksioneve, sa që arriti  dhe e vuri në qendër të komunikimit diplomatik të Serbisë me BE dhe me SHBA.

Gjatë një viti të agresionit ushtarak rus në Ukrainë BE dhe SHBA kanë ndërmarrë disa paketa sanksionesh antiruse, dhe Serbia, shtet kandidat i BE, nuk u bashkua asnjëherë.

Në fillim presidenti serb doli me tezën se nuk zbatojmë kërkesën për sanksione të atyre, që na vendosen sanksione në vitin 1992 dhe na bombarduan në vitin 1999. Vuçiç bën sikur harron që Rusia  në Këshillin e Sigurimit të OKB në maj të vitit 1992 votoi për vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër Jugosllavisë së Millosheviçit.

Pastaj presidenti serb doli me tezën se nuk mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sepse ajo ka votuar kundër pavarësisë së Kosovës në KS të OKB. Pastaj doli me tezën se nuk vendos dot sanksione, sepse Rusia i ka dhënë çmimin më të lirë të gazit rus nga të gjita vendet europioane.

Pastaj doli me tezën se ai nuk do të vendosë sanksione deri sa të përballojë presionet  e mëdha të Perëndimit. Në 12 mars kryeministrja serbe Ana Bërnabiç deklaroi se refuzimi i Serbisë për sanksionet antiruse i përgjigjet interesave tona kombëtare.

Pas harxhoi të gjithë fishekët falso të reklamës ndërkombëtare për rëndësinë e sanksioneve serbe ndaj Rusisë, Vuçiç për të mbajtur lart interesin e Perëndimit ndaj tij shpiku thirrjen e ministrit të qeverisë së tij për të zbatuar sanksionet antiruse. Diplomacia dhe propaganda serbe po përpiqen ta  shesin këtë si zhvillim të ri të jashtëzakonshëm dhe për ta mbajtur në qendër të vëmendjes artificiale diplomatike “sanksionet e Serbisë”.

Beogradi synon  t’i rrisë çmimin që do t’i kërkojë Perëndimit si shpërblim për “sanksionet e Serbisë”, që do të vijnë. Loja e ndyrë diplomatike e Serbisë po përqëndrohet në pranimin nga BE të ambicjeve të saj kolonialiste mbi Kosoven. Jo rastësisht truku i ri serb me thirrje brenda qeverisë për vendosjen e sanksioneve u organizua në prag të bisedimeve të nvelit të lartë Serbi-Kosovë, që do të zhvillohen në Ohër në 18 mars me ndërmjetësimin e BE për hartimin e hartës rrugore të zbatimit të planit franko-gjerman të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinjë.

Vuçiç tenton të ngrejë çmimin e lëshimeve që kërkon nga BE për Kosovën. Beogradi po përpiqet të çbëjë disa nene të planit franko-gjerman për pranimin e identitetit shtetëror të Kosovës, duke premtuar ecjen e Serbisë drejt vendosjes së sanksioneve kunder Rusisë.

Natyrisht as brenda vetë Serbisë nuk e besojnë këtë farsë të re politike dhe diplomatike të presidentit serb. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i Partisë Socialiste, nga blloku i së cilës është propozuar Rade Basta si ministër në qeverinë e re, e hodhi poshtë në 14 mars thirrjen e Bastës, duke e cilësuar “mendim personal” dhe deklaroi se ai dhe Partia Socialiste janë kundër sanksioneve ndaj Rusisë.

Partia tjetër e koalicionit qeveritar “Lëvizja Socialiste” e kreut të agjencise serbe të spiunazhit, BIA, A.Vulin, jo vetëm e hodhi poshtë thirrjen për sanksione, por edhe kërkoi largimin nga qeveria të ministrit Basta. E gjitha kjo zhurmë duhet parë në kuadrin e fryrjes, që po i bën Serbia të ashtuquajturës çeshtje të sanksioneve për ta shitur atë sa më shtrenjtë në tregun diplomatik europian.

Lojën bizantine të Serbisë me sanksionet e mbështet në prapaskenë edhe Rusia, presidenti i së cilës Putin ka deklaruar se e përkrah “politikën balancuese” të presidentit Vuçiç miis Rusisë dhe Perëndimit. Rusia, për të cilën nuk kanë asnjë vlerë sanksionet serbe edhe po të zbatohen, dhe që ka sigurinë se Serbia edhe po të vendosë sanksionet nuk lëviz dot nga aleanca strategjike me Moskën, nuk tregoi as shqetësimin më të vogël për “zhvillimet dramatike” të ditëve të fundit në Beograd.

Një ditë pas thirrjes së ministrit serb, Dmitri Peskov, sekretar i shtypt i presidentit Putin, në 14 mars deklaroi se “ne e dimë qeë Serbia i nënshtrohet një presioni të paprecedent nga Perëndimi kolektiv për qendrimin miqësor ndaj vendt tonë”. I pyetur për thirrjen e ministrit Basta, Peskov e nënvleftësoi: “Idetë e ndryshme nga linja e përgjithëshme e Beogradit jo gjithmonë janë popullore në Serbi dhe fuqimisht kritikohen nga vetë serbët”.

Rusia tallet me rëndësinë diplomatike dhe propagandistike, që diplomacia europiane po i kushton “sanksioneve serbe”, siç tallet edhe me iluzionin diplomatik të Perëndimit se Beogradi duke vendosur sanksionet do të shkëputet nga Rusia. Ja si si e analizon shpresën e kotë të Perëndimiit për largimin e Serbisë nga Rusia Oleg Bondarenko, një nga ekspertët më të njohur rusë për Ballkanin dhe drejtor i projektit qeveritar rus “Ballkanist”, në një artikull të botuar në 12 mars në gazetën ruse “Njezavisimaja gazeta”:

“Që të kuptoni realitetin e Serbisë duhet të shohësh biografinë e presidentit Vuçiç. Ministri më i ri në qeverinë e S.Millosheviçit në kohën e agresionit të NATO-s kundër Jugosllavisë, sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale të ideologut të lëvizjes nacional-patriotike Sheshel, Vuçiç deri më sot në moshën 53 vjeç kurrë nuk u largua nga kursi i zgjedhur dikur i politikës së jashtëme të lidhur me Rusinë. Ai e ka ndërtuar karrierën e tij mbi identitetin prorus të politikës së jashtëme”.

Një lojë bizantine diplomatike lidhur me “sanksionet e Serbisë” po luan diplomacia e BE Në mënyrë të befasishme diplomacia e BE ka vendosur në qendër të kërkesave të integrimit për Serbinë vendosjen e sanksioneve antiruse.

Diplomacia e BE ka harruar kushtin kryesor dhe të njohur të krerëve kyresorë të BE se pa njohur Kosovën Serbia nuk anëtarësohet në BE. Në 1 mars kryeministrja serbe Bernabiç deklaroi se BE i ka vendosur Serbisë kushtin mbi të gjitha kushtet për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo është një taktikë dinake e diplomacisë së BE për të fryrë “sanksionet e Serbisë” dhe për të gjetur alibi për qendrimet proserbe në dëm te Kosovës.

Diplomacia filoserbe e BE po e pompon çeshtjen e sanksioneve serbe për t’i bërë shantazh Kosovës që t’i bëjnë lëshime Serbisë dhe të pranojë një “serpska republikë” në territorin e saj në formën e zajednicës.

E pakuptueshme është edhe loja e disa segmenteve të diplomacisë amerkane në Ballkan, të cilat kanë hyrë në një kurs flirtimi të hapur me presidentin nacionalist serb. Nuk është shpjeguar përse në kohën që presidenti amerikan Bajden sapo erdhi në Shtëpinë e Bardhë në 2021 nxorri formulën që në qendër të dialogut Serbi-Kosovë duhet të vendoset njohja reciproke, në vitin 2023 disa segmente të diplomacisë amerikane kanë dalë me tezën e re që normalizimi Serbi-Kosovë në fund do të ketë objektivin e njohjes reciproke.

Ky spostim diplomatik “nga qendra në fund të dialogut” nuk jep ogur të mirë dhe krijon një inkurajim ndaj intransigjencës nacionaliste të presidentit serb në dialogun me Kosovën. Nuk mund të mos bëjë përshtypje mungesa e reagimit të diplomacisë ballkanike amerikane ndaj shkeljes nga presidenti serb Vuçiç të marrëveshjes së tij me presidentin amerikan Trump në 4 shtator 2020 për të lëvizur ambasadën serbe në Jeruzalem.

Në këtë kompleks lojrash diplomatike bizantine nga shumë palë lidhur me “sanksionet e Serbisë” nuk mund të mos rrish kokëulur para qendrimit të padinjitetshëm të Shqipërisë për “sanksionet serbe”, me një apologji filoserbe ndërkombëtare, që habiti edhe vetë qarqet diplomatike serbe.

Nuk e di se në cilën faqe të errët të historisë së diplomacisë moderne shqiptare do të futet shtegtimi halucinant i përfaqësuesit kryesor qeveritar të Shqipërisë në samitet e  NATO-s dhe në korridoret diplomatike e mediatike europiane për të mbrojtur Serbinë që të mos i kërkohet zbatimi i sanksioneve.

Lojërat bizantine diplomatike nga shumë palë për “sanksionet e Serbisë” duhen parë me vëmendje si një strategji e rrezikshme për të dëmtuar interesat e Kosovës. Kjo duhet të shërbejë si sinjal se disa qarqe të diplomacisë së BE po tegohen të gatshëm ta venë integritetin dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës theror në altarin e Serbisë.

Ka një disponim të gabuar në disa qarqe të diplomacisë perëndimore se duke i bërë lëshime Beogradit në Kosovë do ta qetësojnë Serbinë dhe do të zbusin ndërhyrjet e saj tensionuese në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë. Akoma më i gabuar është iluzioni europian se duke favorizuar Serbinë do të arrihet ta shkëpusin atë nga aleanca me Rusinë.

Diplomacia europiane dhe amerikane bëjnë mirë të kujtojnë se gjatë 10 viteve të qeverisjes së  Vuçiçit në Serbi është rritur në përmasa të pariparueshme influenca ruse dhe kineze. Perëndimi nuk mund ta zëvendësojë dot Rusinë në Serbi dhe nuk duhet harruar betimi i presidentit Vuçiç se në Serbi nuk do të përsëritet më kurrë marsi i vitit 1948, kur Jugosllavia e Titos u prish me Moskën./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit