NATO ka mirëpritur pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu përmes një postimi në Twitter ka shkruar se inkurajojnë palët që të zbatojnë atë për të cilën kanë rënë dakord.
“NATO e mirëpret marrëveshjen në mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dialogun e lehtësuar nga BE në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne i nxisim të dy të zbatojnë atë që është rënë dakord shpejt dhe plotësisht. Ne jemi të përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor përfshirë këtu edhe KFOR-in,” ka shkruar Lungescu.
Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.
BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.