Ish-kryeministri, Sali Berisha po zhvillon një takim me demokratët e Rrogozhinës ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Shkëlqim Hoxha.
Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se zgjedhjet e 14 majit duhet të përdoren për bjë ndryshim të madh.
“Për të realizuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve, mjafton që secili nga ne, çdo banor i kësaj bashkie të mendojë për një moment; ç’po ndodh me Rrogozhinën në këto vite, ç’po ndodh me Shqipërinë në këto vite? Po ndodh një braktisje masive, sikur të mos ishte një dhe i bekuar, por sikur të ishte një tokë e mallkuar.
Ndërkohë që Rrogozhina është një bashki me potenciale të jashtëzakonshme për të begatuar, lumturuar, mëkëmbur të gjithë banorët e saj, për të mbajtur në trojet e veta, bijtë dhe bijat dhe për ti prosperuar ata më shumë se kudo tjetër.
Pse atëherë ikin, çfarë ndodh me fëmijët tanë, çfarë ndodh me fqinjin tonë, me miqtë, të afërmit, fisin, kushërinjtë, pse ata ikin? Pse ne sot kemi më shumë se 1/3 e tyre të larguar dhe të tjerë që mendojnë të largohen sa më parë.
Në pamje të parë ky është një shpopullim i frikshëm. Nëse në 8 vite nga Shqipëria, Rrogozhina dhe çdo zonë e këtij vendi u larguan më shumë se 1/3 e popullatës. 937 mijë shqiptarë janë larguar vetëm në hapësirën e Shengen, mbi 1 milion në të gjithë botën.
Imagjinoni për një moment të vazhdojë kështu, të vazhdojë me këtë sistem me këtë qeverisje. Në 8 vitet e ardhshme, më shumë se kaq dhe pas 16 vitesh askush nuk e di sa qytetarë do kenë mbetur në Rrogozhinë, sa shqiptarë do kenë mbetur në Shqipëri,” u shpreh Berisha.