Çështja e plusvalencave nuk është shqetësimi i vetëm i Juventusit, pasi aty, rregullorja është ende e paqartë, ndonëse për momentin i ka hequr 15 pikë në renditjen e Serisë A.
Klubi bardhezi është më i shqetësuar për të ashtuquajturën “manovra e rrogave”, ku nëpërmjet akordeve me lojtarë, ka deklaruar sikur kishin falur rroga, por në fakt ua kthente në mënyra të tjera. Kështu, nuk i llogariste në bilance për të fshehur deficitet dhe për të qenë në linjë me rregulloret e Serisë A dhe UEFA-s.
Të hënën është seanca e parë dëgjimore rreth kësaj teme por ndërkohë në Itali janë mësuar se cilat janë disa nga aktet qe Prokuroria e Torinos vlerëson si të rëndësishme. Një vëmendje e veçantë është për të ashtuquajturën “karta Ronaldo”, e cila vërteton se portugezit i detyrohen në mënyrë të jashtëligjshme mbi 19 milionë euro.
Një bashkëbisedim në grup në prill 2021 mes drejtuesve bardhezinj Morganti, Kerubini dhe Gabasio, flet pikërisht për portugezin. Gabasio, asokohe shefi i zyrës juridike të klubit, shkruante “I pari i gatshëm për të firmosur është Kristiano”. Pak ditë më vonë, më datë 23 prill, sekretari sportiv Morganti shkruante dy mesazhe në grup.
I pari, në orën 13:42, lexon “Kristano ka firmosur”. Një minutë më vonë, shkruan edhe “ka një kopje të të gjithë dokumenteve”. Pak minuta më vonë, Kerubini përgjigjet “Mirë”.
Një bashkëbisedim i cili sipas Prokurorisë tregon se Juventusi kishte gjetur akordin me portugezin, edhe pse ky i fundit pretendon se nuk ka firmosur asgjë për faljen e rrogave që do t’i ktheheshin më vonë, ndaj vijon të kërkojë rreth 19 milionë euro që nuk i janë dhënë nga bardhezinjtë.