Policia e Shtetit ka dhënë detajet e operacionit anti-kanabis në Malësi të Madhe, ku u zbuluan 27 sera me rreth 8000 fidanë. Në kuadër të operacionit të koduar “Krateri” u zbuluan 27 sera brenda të cilave ishin kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë gjahu, municion luftarak dhe 5 armë të ftohta (thika) që i mbante pa leje. Ndërkohë, njofton se janë proceduar penalisht, për shpërdorim detyre, 3 punonjës të bashkisë Malësi e Madhe (Drejtori i Shërbimit Pyjor, specialisti i Ujësjellësit dhe hidrauliku i Ujësjellësit).
Në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar shtetasi Nesti Delaj alias Ernest Veshtaj, 52 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si organizator i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.
Po në vijim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gjovalin Gjekaj, 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; Roland Gjekaj, 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe Arben Hysaj, 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Nesti Delaj, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 armë të ftohta (thika), të cilat ky shtetas i mbante pa leje.