Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat dha sot detaje të reja për rritjen e pagave që sipas qeverisë do të prekë të gjitha kategoritë në administratë.
“Pagat, ne kemi bërë të ditur se po marrim një reformë madhore që do të jetë e shpërndarë në dy vite. Rritja nuk do të bëhet në një vit. Kemi marrë angazhimin që në këtë fazë të zhvillimit të aktivitetit ekonomik në vend do të vijojë me konsolidimin fiskal.
Hapësirat për të përballuar reformën e pagave nuk do të ndikojnë nivelin e borxhit apo deficitin apo balancën primare nga viti i ardhshëm” tha ajo.
E pyetur për ligjin e basteve, ministrja theksoi se javën tjetër do të nisë konsultimi i draftit. “Për ligjin e basteve online, ligji parashikon rihapjen e basteve online dhe jo të gjitha basteve në pika fizike. Në fillim të javës së ardhshme ligji do të hidhet për konsultim publik, më pas do të shkojë në qeveri dhe në fund në parlament.
Të arrijmë në një draft sa më të konsoliduar dhe të kujdesemi që drafti të parashikojë mbrojtjen sociale për kategoritë e prekura, që ishte arsyeja kryesore pse i pezulluam”.