Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar si një arritje e rëndësishme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Por fakti që ajo nuk është nënshkruar dhe retorika e udhëheqësve të dy vendeve që nuk kanë shfaqur në thelb ndonjë ndryshim qëndrimesh për çështjet më të mprehta, kanë krijuar paqartësi lidhur me ecurinë e mëtejshme.
Ndërsa afrohet një takim i kryenegociatorëve javën e ardhshme, analistët bien dakord se që kjo marrëveshje të jetë e suksesshme, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol qendror. Por siç njofton kolegia Keida Kostreci, ata theksojnë se sfidat vazhdojnë të mbeten.
Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se marrëveshja për rrugën e normalizimit është si kritike ashtu edhe e brishtë dhe për këtë arsye ajo kërkon gjithë mbështetjen e mundshme.
“SHBA dhe BE ndajnë përgjegjësi dhe nuk mund të distancohen nga kjo marrëveshje dhe nuk mund të drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht kanë përgjegjësi kritike, por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjeje”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Joseph thotë se dështimi do të kishte pasoja të rënda.
“Nëse kjo marrëveshje dështon, do të ishte një dështim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe do të ishte një fitore për Rusinë dhe Kinën, nuk di si ta bëj më të qartë se kaq”, thotë ai.
Dr. Majda Ruge, eksperte e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë bie dakord se roli i Perëndimit është kritik.
“Prandaj unë mendoj se nëse nuk shohim një ndryshim drastik në nivelin e monitorimit të presionit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara veçanërisht ndaj Serbisë, nuk mendoj se do të shohim shumë lëvizje përpara”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.