-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Kush po gjykohet në Hagë?!

Kryesoret

Katër të akuzuarit kanë bërë pjesë në trupën më të lartë drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe janë në themeluesit e saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe, pas qershorit 1999, në lirinë e Kosovës , në vite të ndryshme, kanë mbajtur postet më të larta të shtetit të Kosovës. Të gjithë kanë qenë shtet formuesit e parë të Kosovës dhe pjesë e realizimit të pavarësisë së saj.

Drejtuesi Politik i UÇK-së, Hashim Thaçi është në të njëjtën kohë personaliteti politik që shpalli pavarësinë e Kosovës, duke marrë mbi vete përgjegjësinë historike, por edhe realizimin e misionit shekullor të shqiptarëve të Kosovës.

Nga presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara figura e tij është njësuar me atë të Heroit Kombëtar Amerikan, Uashington, për rolin e luajtur në krijimin e shtetit të ri shqiptar të Kosovës.

Akuza ndaj tyre është e njohur. Të paktën pjesa në sipërfaqe, ashtu si është i njohur fakti që e gjithë kjo histori filloi nga materiali i paraqitur nga Dick Marty, figurë kontroverse politike, i cili, si është bërë më pas e njohur, edhe në gazetën DITA janë bërë të njohur faktet, dosjen e përgatitur nga shërbimi i fshehtë serb, pasi e mori në dorëzim në Stacionin e trenit në Zurich, nga ambasadori serb në Zvicër dhe prokurori serb për krimet e luftës, e dorëzoi në parlamentin evropian.

Akuza që ngriti gjithë stuhinë ishte ajo e trafikimit të organeve. Tani kjo akuzë ka rënë, por stuhia vazhdon. Ajo është rritur , jo thjesht nga “ 140 persona që janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, si dëshmitarë të prokurorisë”, por më tepër nga hetimet tendencioze, qoftë edhe për raste të gjykuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe ish kryeprokurorja Karla del Ponte, pjesë e histerisë anti shqiptare, të cilat edhe pse janë hedhur poshtë nga gjykatat po rishfaqen, por edhe nga synimi me çdo kusht i prokurorit të specializuar për të dënuar pjesë të Trupës Drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mes hetuesve, prokurorëve, por edhe trupës gjyqësore gjenden figura të njohura në Kosovë, që kanë drejtuar procese të tilla, si rasti Limaj , rasti Haredinaj, dhe që, në mënyrë të pabesueshme kanë kërkuar nga kolegët e tyre që, qoftë edhe politikisht, Limaj dhe bashkë të akuzuarit duhet të dënohen, apo, edhe më tej, duke e parë të gjithë këtë si pjesë të ngritjes së tyre në hierarkinë gjyqësore.

Rasti më flagrant është ai i kryeprokurorit ndërkombëtar për krimet e luftës në Kosovë, italianit Salusto, i cili, pasi kreu misionin në Kosovë dhe dështoi, vajti në Serbi dhe u bë zëvendës i prokurorit serb për krimet e luftës.

Katër të akuzuarit, që prej dy viteve e gjysmë, pa asnjë arsye madhore mbahen në qelitë e paraburgimit, megjithëse në çastin e ndalimit të tyre ishte propaganduar se gjërat janë kopsitur, nuk janë bërë të njohur si figura politike në jetën e Kosovës rastësisht, nga çasti i një dite, apo, edhe më tej, si frutë i pasionit politik apo përplasjeve brenda grupimeve të ndryshme.

Hashim Thaçi, i njohur fillimisht me pseudonimin Studenti, bashkë rektor i Universitetit të Prishtinës, do i bashkohet Lëvizjes së rezistencës që në fillimet e jetës së tij studentore. Rektori i Universitetit , atdhetari i shquar Ejup Statovci, njëra ndër figurat më emblematike të lëvizjes për çlirim, kur jam takuar me të, në banesën e ish të burgosurit politik, Arban Hoxha, më tregonte se që në takimet e para kishte formuar bindjen se ky djalë i ri, i vendosur, i prerë për të bërë punë të mëdha, një ditë do të drejtonte Kosovën.

Do të jetë pjesë e rëndësishme e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në njërën nga mbledhjet më të rëndësishme të kësaj strukture do të zgjidhet anëtar i Grupit për Organizimin dhe Riorganizimin e radhëve dhe përgatitjen e Mbledhjes së IV të Përgjithshme, që u mbajt në Prishtinë, në fundin e muajit korrik 1993. Është mbledhja ku merret vendimi për krijimin e UÇK-së, dhe Thaçi është në themeluesit e saj.

Pas arrestimeve të shumta të gushtit 1993, bëhet pjesë e trupës Drejtuese të Lëvizjes , me pseudonimin e përkohshëm Selimi, dhe, në mbledhjet e zhvilluara të kësaj trupe, dhjetor 1993 dhe mars 1994 ngul këmbë për ngritjen e strukturave të ushtrisë. Konferenca e Rambujesë është koha e tij.

Befas shfaqet me pseudonimin e fundit “ Gjarpri”. I dënuar në mungesë nga gjykata speciale serbe me 10  vite, në të njëjtin grup me Adem Jasharin dhe grupin Drenicës, sot, ai do të dëgjojë pjesë të së njëjtës aktakuzë, por në një gjuhë tjetër. Thaçi është ndër ata liderë që ka menduar gjithnjë politikisht. Në çdo moment. Si kam shkruar , ai, edhe me një janar e di se ku do të jetë në ditën e fundit të vitit.

Kadri Veseli, i njohur si Luli, pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, do të jetë bashkudhëtari i përhershëm i Thaçit. Në të vërteti, do të jetë edhe njeriu që do e ftojë Thaçin të jetë pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe nisin  bashkërisht një rrugë që do të zgjasë mbi 30 vite. Së bashku do të kalojnë kufirin shqiptaro – shqiptar në bjeshkët e ngarkuara nga bora, do të futin në Kosovë mjete të logjistikës, do të mobilizojnë dhjetëra të tjerë pranë vetes dhe, si nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, do të gjenden nën të njëjtin emër, “ djemtë”. Ishte dhe mbetet emri i përbashkët i tyre.

Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm do të marrë përsipër krijimin e Shërbimit Informativ të Kosovës, aq i domosdoshëm në vitet e luftës dhe menjëherë pas përfundimit të saj. Ata që mendojnë se ky shërbim u ngrit nga dëshira e një njeriu të vetëm, apo e një strukture si ishte UÇK-ja, janë thellësisht të gabuar. Pas Drejtorisë Politike të UÇK-së, kjo strukturë do të jetë në të parat që do të vendosë kontaktet e vazhdueshme me shërbimet euro – perëndimore, deri përtej Atlantikut, do të monitorohet prej tyre dhe do të strukturohet.

Kam shkruar se, kur ndahesh nga Kadri Veseli, mos e kthe kurrë kokën prapa, sepse je gjithnjë i sigurte. E kam njohur në momente të vështira dhe pak kush ka dëshmuar karakterin e tij.

Rexhep Selimi , i njohur në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës me pseudonimin Agroni, fillimisht ishte poet dhe hartues tekstesh të këngëve popullore, në njërën letër të tij ai ka shkruar se është i dashuruar me vdekjen e heronjve të kombit. Piktor. I lidhur ngushtë me familjen e Adem Jasharit.

I vëllai i tij , Asllani është dhëndër i Jasharëve. Edhe ai i burgosur politik.

Rexha, si thirrej shkurt, do të jetë në frymën e ngritjes dhe ri  ngritjes së UÇK-së, sidomos pas janarit të vitit 1997, kur vriten befasisht në pritë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Është ndoshta momenti më vendimtar i ngritjes së kësaj strukture, kur, pas dhjetëra arrestimeve, vihet në pikëpyetje vazhdimi i luftës së porsa filluar. Së bashku me Ilir Konushevcin, Mujë Krasniqin, Qerim Kelmendin, Ardian Krasniqin, Luan Haredinaj, Ramush Haredinaj , bëhen njëkohësisht edhe drejtues e pjesëmarrës të logjistikës së UÇK-së, por edhe bartës të idesë së luftës.

Jakup Krasniqi, baca Jakup, i dënuar politik në demonstratat e vitit 1981 , është personifikim i njeriut të urtë, që bën hapa të matur, qetëson ngjarjet dhe njerëzit; mësues, por edhe i mësuar, ai ndërlidh dy brezat e Lëvizjes për rezistencë, atë të vitit 1981 dhe , më tej, të përgatitjes së luftës, që përgjithësisht janë më të rinj.

I emëruar si zëdhënës politik i UÇK-së, më pas si zëvendës komandant, do të jetë pika e takimit të domosdoshëm të  gjithë figurave politike ndërkombëtare që venë në Shtabin e Përgjithshëm. Është i qetë, nuk ngutet, ka në vete ndjenjën e së mirës, përplasjet që kanë ndodhur nuk u trazojnë, i sheh si pjesë të rritës së domosdoshme.

Në 31 dhjetor 1991 do të ketë në shtëpi disa mysafirë të veçantë: Adem Jasharin dhe familjen e tij, të cilët, pasi kishin thyer rrethin e forcave serbe – ky do të jetë rrethimi i parë i tyre – me 30 dhjetor do të jenë në shtëpinë e një figure tjetër të jashtëzakonshme, gjeneral Shaban Shala, dhe, në vitin e ri, te Jakup Krasniqi.

Këto, të katër, do të dëgjojnë nga sot, 3 prill, akuzën e detajuar ndaj tyre. Në një gjykim të zgjatur, ku, njëra palë, Zyra e Prokurorit Special kishte parashikuar deri në 6 vite për të paraqitur akuzën e tyre, ndërsa Mbrojtja kërkon shpejtim të procesit, asnjëri prej tyre nuk akuzohet për pjesëmarrje të drejt për drejtë në rrëmbime, tortura, vrasje, dhunim, burgosje të paligjshme, në asnjë rast.

Ata, sipas Prokurorit Special, kanë qenë drejtues të luftës dhe, si të tillë, duhet të përgjigjen. Dy gjëra janë themelore në këtë rast: Kush gjykohen, katër figura drejtuese apo e gjithë UÇK-ja dhe strukturat drejtuese të saj?

Ngado që të shikosh, gjykimi nuk do të jetë ndaj katër figurave. Ata janë zgjedhur për të qenë në bankën e akuzës. Në akuzën paraprake, krahas tyre përmenden si pjesë të një Organizate të Strukturuar Kriminale, edhe dhjetëra të tjerë. Thuajse të gjithë ata që kanë qenë në rolet e tyre drejtuese. I gjithë Shtabi i Përgjithshëm, të gjithë komandantët e  Zonave, shumë drejtues të Brigadave apo të Shërbimeve. Më shumë se sa një listë akuze është lista e figurave drejtuese.

Në pyetjet e bëra në hetimin e rastit Haradinaj – Gucati, ish drejtues të Organizatës së Veteranëve, shpesh herë, thuajse gjithmonë, pyetja e bërë ka qenë: A ka bërë krime UÇK-ja? Pse i arrestoi UÇK-ja? Kë burgosi UÇK-ja?

Njëjtë edhe tani. Ka këmbëngulje të vazhdueshme për të njësuar krimet vetjake, nëse ata kanë ndodhur, me të gjithë luftën e zhvilluar në Kosovë. Këmbëngulje për të zgjatur pafundësisht procesin, sa që , dashje pa dashje krijon mendimin, që mund të jetë i gabuar, se çfarë qëndron pas gjithë kësaj? Zemërimi për dështimet në rastin Limaj, në rastin Haradinaj, në shumë raste të tjera në Kosovë, ndjenja e përgjegjësisë për t’u shkuar gjërave deri në fund , apo, mos qoftë kurrë kjo, përfitimet dhe benifitet financiare nga një proces që zgjat me vite e vite.

Së dyti, që është më thelbësore: a ishte UÇK-ja një strukturë e njësuar, nga fillimi deri në fund, nën një komandë të vetme, në një grusht drejtuesish, të cilët edhe mbanin përgjegjësi për çdo veprim të mundshëm?

Në marsin e vitit 1998, kur lufta mori përmasat e saj, në radhët e UÇK-së, të njësuar, shumë prej tyre në një jetë klandestine, të formësuar, në njësitet e para gjendeshin rreth 300 vetë. Qindra të tjerë ndodheshin në formacionet e gatshme, si të thuash, të gatshëm, por në pritje.

Nga marsi 1998 deri në qershor të këtij viti UÇK-ja mori përmasat e saj më të mëdha. Si asnjëherë tjetër. Ajo që Millosheviqi kishte menduar se do të ishte fundi i UÇK-së, masakrat në Likoshan dhe në Prekaz, dëshmuan se ishte fillimi i luftës. Në më pak se tre muaj do të ishin të armatosur dhe të uniformuar mbi 30 mijë vetë. Ishte rritje e pa menduar në atë ritëm.

Askush, as edhe një shtet i mirë organizuar, me të gjitha strukturat e ngritura, nuk do të mund të vendoste në kontrollin e tij  në  këtë rritje të pa zakontë. Në dhjetëra fshatra njerëzit vetë organizoheshin, zgjidhnin drejtues njerëz të vendosur, përgjithësisht ish të burgosur politik, ngrinin shtabet e tyre dhe merrnin kontaktet e duhura.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, në pamundësi për të gjetur faje të gjykueshme dhe për të ngritur akuzë ndaj veprimeve vetjake të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, tani kanë bërë atë që në dy gjykime të mëhershme nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është hedhur poshtë si e pa arsyeshme dhe e pa justifikuar. Ri sjellja e të njëjtëve shembuj që u gjykuan në rastin Limaj dhe në rastin Haradinaj, megjithëse të shpallur të pa vlefshëm, këmbëngulja për të ri bërë pjesë të historisë së Kosovës, për ta ndërtuar ndryshe atë, nuk ka lidhje me të vërtetën e asaj që ka ndodhur, por me dëshirën për ta bërë sikur ka ndodhur.

Shumë njerëz, të pa informuar si duhet, ngulin këmbë se vetë Thaçi dhe njerëzit pranë tij këmbëngulën për ngritjen e kësaj Gjykate.

Në ditët kur diskutohej ngritja e saj kam pasur takime të shpeshta me zotin Thaçi. Ishte dilema: kush do e miratojë, parlamenti i Kosovës apo gjërat do të shkonin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Një çështje e shtruar haptas, merre ose lëre, pa rrugë zgjidhje të mesme, megjithëse të gjithë e dinin se kjo ishte rruga më e shtrembër, aq më tepër që akuza ndalohej vetëm në etninë shqiptare.

Edhe Thaçi e dinte këtë. E dinte, po ashtu, se vetë ai mund të ishte një ditë , si bashkë luftëtarët e tij, rasti Thaçi. Fakti që nguli këmbë, pavarësisht asaj që mund të ndodhte dhe po ndodh , ishte dëshmi se e bindjes së tij se e vetmja rrugë për pastrimin e llumit të hedhur nga Dick Marty ishte krijimi i kësaj strukture, që, edhe pse mund të zgjasë, do e dëshmojë të vërtetën.

“Liria nuk ka çmim, ky është çmimi që duhet të paguajmë”, tha për mediat në çastin e vetë largimit nga detyra e presidentit, dhe , shtoi” edhe nga kjo luftë do të dalim faqebardhë”./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit