Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk i ka ftuar përfaqësuesit e partive në Kuvendin e Serbisë në konsultime për Marrëveshjen Evropiane për Kosovën, siç ka premtuar pas negociatave në Ohër.
Megjithatë ai është duke përgatitur një dokument që duhet të jetë bazë për vazhdimin e negociatave mes Serbisë e Kosovës, me vija të kuqe të përcaktuara sa i përket hyrjes së Kosovës në OKB, të cilin do t’ua prezantojë deputetëve.
Ndonëse seanca e rregullt pranverore ka nisur një muaj më parë, seanca parlamentare ende nuk është caktuar.
Sipas informacioneve të Nova.rs, plani është që të mbahet një seancë ku do të paraqitet Aleksandar Vuçiç dhe do ta “zbulojë” raportin për negociatat me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Vuçiç duhet të vijë në Kuvend për të prezantuar atë që ka ndodhur në takimet me Kurtin dhe këtë ndoshta do ta bëjë vetëm pas përfundimit të këtij raundi të ri në Bruksel, i cili është planifikuar pas datës 20 prill”, thekson burimi i mediumit serb.
Sipas informacioneve, si pjesë e raportit për negociatat, ai do të prezantojë një dokument që duhet të jetë bazë për negociatat e mëtutjeshme me Kosovën.
Në atë dokument do të shprehet edhe qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Tani po mendojmë se si ta definojmë pjesën që i referohet OKB-së dhe vijave të kuqe, pa e interpretuar Brukseli si refuzim të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes”, është shprehur burimi i Nova.rs.
Pika më e diskutueshme për Serbinë është pika e marrëveshjes nga Brukseli, ku thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ku përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.