Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj në një postim në Facebook ka zbardhur detaje nga biseda që pati me zyrtarin e lartë të DASH-it, Escobar që qëndroi për dy ditë në Tiranë. Alibeaj, thotë se zyrtarit amerikan iu ankua për qeverinë dhe e siguroi se është kundër Sali Berishës, që është shpallur non grata nga SHBA.
“Zhvillova sot një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane, dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar. Gjatë bisedës prekëm tema të rëndësishme të zhvillimeve të fundit ku u ndalëm tek pregatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve.
Theksova refuzimin e qeverise per te adresuar ne Kodin Zgjedhor rekomandimet e ODHIR. Përveç kësaj i bëra me dije shkeljen që po ndodh aktualisht nga qeveria të rekomandimeve te ODHIR, lidhur me shitblerjen e votës, përdorimin në fushatë te administratës publike, përdorimi i të dhënave personale dhe buxhetit të shtetit në funksion të zgjedhjeve e sidomos lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve.
Temë e bisedës ishin dhe zhvillimet në Partinë Demokratike, dinamikat e muajve të fundit dhe qëndrimi konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare. E sigurova zotin Eskobar për vullnetin e PD në bashkëpunimin me aleatin tonë kryesor, duke i konsideruar SHBA si mbështetës të angazhuar për Shqipërinë dhe shqiptarët” mbyllet postimi.