Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi planin për arsimin në kryeqytet. Në një tryezë me ekspertë të arsimit, mësues, pedagogë, nxënës e studentë, Këlliçi tregoi masat që parashikon të marrë që në nisje të punës si kryebashkiak nëse zgjidhet për t`i dhënë fund problemit të mungesës së shkollave dhe çerdheve. Fillimisht, ai tha se sot në Tiranë, ka kopshte dhe çerdhe për vetëm 12 mijë fëmijë, ndërsa pjesa tjetër e fëmijëve të kësaj grupmoshe mbetet e pambuluar me shërbim.
Kandidati i Opozitës paraqiti edhe zgjidhjen. “Zgjidhja e këtij problemi do të vijë nëpërmjet përdorimit të taksës 3% si kontribut social që jep sektori i ndërtimit. Pra, kjo hapësirë do të përdoret për kopshte dhe çerdhe të reja në Tiranë, që sipas Belind Këlliçit, do të ketë menjëherë dyfishim të tyre” thotë zyra e shtypit të tij.
Por, edhe nëse pas kësaj situate do të ketë ende fëmijë që nuk marrin shërbim në kopshtet dhe çerdhet publike për shkak të mungesës së kapaciteteve, Këlliçi parashikon një paketë financiare që ata të akomodohen në struktura private. Para ekspertëve të arsimit, Belind Këlliçi premtoi gjithashtu dhënien fund të mësimit me dy turne në kryeqytet, duke ndërtuar struktura arsimore për çdo njësi sipas nevojave.