I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar komentoi mbajtjen e zgjedhjeve në veri, duke thënë se Amerika do i njohë ato, nëse janë të lira.
“Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre.
Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta.
Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Escobar, ka shtuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq ka ndikim në Listën Serbe, por që edhe ata kanë “arsyet” e tyre pse nuk duan të marrin pjesë.
“Unë do të thoja që nuk e përcakton ai përfundimisht nëse ata marrin pjesë ose jo. Sigurisht ai ka ndikim dhe është përpjekur ta përdorë atë ndikim. Por Lista Serbe ka këmbëngulur se ka arsyet e veta që nuk do që të marrë pjesë”, shtoi ai.