Pas disa ditësh janë zbuluar dhe identifikuar trupat të cilët ndërruan jetë pasi agjëruan ekstemisht në Kenia.
Udhëheqësi i sektit u arrestua javën e kaluar pasi dyshohet se u kërkoi besimtarëve të agjëronin deri në vdekje për të “takuar Jezusin”.
Që nga e premtja, kur filloi zhvarrosja, “ne kemi gjithsej 21 trupa ” në pyllin Sakahola, tha një burim policor për AFP në kushte anonimiteti.
“Ne kemi gërmuar vetëm sipërfaqen, gjë që sugjeron se do të kemi më shumë njerëz të vdekur ” kur të përfundojë kërkimi, shtoi ai.
Një tjetër burim policor e ka konfirmuar këtë numër. Një nga dy burimet tha se në mesin e viktimave janë të paktën tre fëmijë.
Trupat e katër anëtarëve të Kishës Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë, të kryesuar nga Paul Mackenzie Dhenge, u gjetën tashmë javën e kaluar. Policia hetoi zonën pasi kishte informacione për ekzistencën e një varri masiv në pyll.
Njëmbëdhjetë besimtarë të tjerë, shtatë burra dhe katër gra, të moshës nga 17 deri në 49 vjeç, u dërguan në spital javën e kaluar pasi u shpëtuan nga pylli Sakahola.
Mackenzie Dhenge u dorëzua më 15 prill në polici dhe u dërgua në paraburgim.
Sipas Agence France-Presse, policia tha se kishte marrë informacion se “njerëzit u vranë nga uria nën pretendimin e takimit me Jezusin, pasi iu ishte larë truri nga një i dyshuar, Mackenzie Dhenge, pastor i Kishës Ndërkombëtare të Lajmeve të Gëzuara”.
Sipas mediave lokale, pastori u arrestua muajin e kaluar dhe u procedua pasi dy fëmijë vdiqën nga uria ndërsa ishin nën kujdesin e prindërve të tyre.
Mackenzie Dhenge u lirua më pas me kusht prej 100,000 shilinga keniane (një shumë e barabartë me afërsisht 670 euro). Janë arrestuar edhe gjashtë besimtarë.
Çështja do të shqyrtohet nga një gjykatë lokale më 2 maj.