Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempizëm 23”.
Erzen Prendi, 35 vjeç, banues në Pezë Helmës, Beqir Hasani, 34 vjeç, banues në Shkup, dhe Anisa Ramaj, 31 vjeçe u vunë në pranga ndërsa A. Gj., 41 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeç u shpallën në kërkim, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Ata transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Saranda në Tiranë, i strehonin disa ditë në Pezë Helmës dhe më pas i transportonin ata drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Erzen Prendi, u gjetën të strehuar 9 emigrantë të paligjshëm. Gjithashtu, në oborrin e kësaj banese u gjetën 114 kubikë me fara kanabisi, gati për t’u kultivuar.