Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Pa përparim në këtë pikë, “nuk mund të ketë përparim as në çështjet tjera” për të cilat diskutohet në këtë dialog.
Kështu thonë disa burime diplomatike në Bruksel, duke pranuar – ndonëse jo zyrtarisht – se Asociacioni është prioriteti numër një, edhe pse Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë, që duhet të shpjerë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duhet zbatuar plotësisht.
Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.
Në BE thonë se hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit është bërë me paraqitjen e draft-statutit të tij, këtë javë në Bruksel, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.
Drafti-statuti u paraqit nga një ekip menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 2 maj në Bruksel./REL
Artikullin e plotë e gjeni këtu.