Bota e futbollit ka shansin sot në mbrëmje të përjetojë një sfidë magjike, pa frikë një finale të parakohshme. Në “Bernabeu”, Real Madrid-Man.City takohen sërish pas një viti, në të njëjtën fazë, për t’i dhuruar tifozëve një përballje titanësh.
“Los Blancos” e Carlo Ancelottit kundër “qytetarëve” të Pep Guardiola-s, nga njëra anë spanjollët dëshirojnë të rikthehen sërish në finale, të mbrojnë titullin kampion, nga ana tjetër anglezët kërkojnë të thyejnë mallkimin, kërkojnë hakmarrjen për atë eliminim të bujshëm një vit më parë, por mbi të gjitha kërkojnë të fitojnë për herë të parë kupën me “veshë të mëdhenj”.
Në raport me një vit më parë, Reali i Carlo Ancelottit është thuajse identik, nuk ka shumë ndryshime, ndërsa Pep Guardiola vjen këtë vit me një “armë” më shumë, me një “bombë” të vërtetë, Erling Haaland. Biondi ka realizuar 8 gola në 12 ndeshje të këtij edicioni në Champions, 35 gola në 32 ndeshje në Premier League, 51 në total këtë sezon, shifra që të ngjallin frikë.
Pep Guardiola ka vetëm një dilemë në këtë sfidë, Mahrez apo Bernardo Silva, me portugezin që është në avantazh. Ancelotti ka disa dilema më shumë, Rudiger apo Alaba, pasi Militao është i skualifikuar, ndërsa në të majtë pritet të konfirmohet Camavinga. Në mesfushë pritet të rikthehet titullar Luca Modric i cili do të marrë vendin e Tchouameni-t.