Nga muaji mars inceneratori i Elbasanit ka hapur disa tendera. Opozita akuzon se impianti i trajtimit të mbetjeve nuk punon dhe se plehrat janë kapicë buzë Shkumbinit.
Sot shoqëria aksionere “Eco-Elb” e drejtuar nga Leli Kaja dhe ku bëjnë pjesë bashkia e Elbasanit, Cërrikut, Përrenjasit, Gramshit, Belshit dhe Librazhdit ka hapur një tender 24 milionë lekë për të blerë shtylla, llampa dhe neone, pra ndriçues. Ky tender me të njëjtin objekt u hap në 27 mars dhe u anulua duke u hapur sërish.
Fituesi shpallet javën tjetër. Por fakti është që ky incenerator, që ka gllabëruar miliona euro dhe për këtë dosje janë brenda ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë vazhdon që të marrë miliona nga xhepat e taksapaguesve të qarkut të Elbasanit dhe deri tani nuk ka nxjerrë gjë në dritë.