Nis procesi zgjedhor në të gjithë vendin, votojnë qytetarët e parë. Procesi ka nisur normalisht dhe qytetarët e parë kanë hedhur votat e tyre.
Procedura është e njëjta si në zgjedhjet e kaluara. Ka pasur dhe nga ata zgjedhës që nuk e kanë gjetur emrin e tyre në një QV dhe i janë drejtuar një qendre tjetër.
Sipas orarit zyrtar, në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet në 61 Bashkitë e vendit, proces i cili do të mbyllet në orën 19:00.
Në të gjithë vendin janë 5213 qendra votimi ku me vendimin e KSHZ është shtuar një QV e posaçme në IEVP Tepelenë ndërsa ditën premte, datë 12.05.2023, me vendim Gjykate është shtuar një Qendër Votimi e Posaçme, në IEVP BELSH.
3,650,550 qytetarë me të drejtë vote janë të ftuar që të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive. 122 545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit garojnë në total 23 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë.
Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë.