Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak ndodhet në një vizitë zyrtare vendin tonë. U prit me ceremoni zyrtare dhe më pas dolën në një konferencë për mediat me Presidentin Begaj. Fokusi kryesor ishte Kosova dhe tensionet në veri. Kreu i shtetit shqiptar tha se dhuna është e pajustifikueshme. Kërkoi uljen e tensioneve.
“Ngjarje të tilla nuk i bëjnë mirë asnjërit dhe pengojnë proceset integruese të rajonit në BE. KFOR është një histori suksesi prej 20 vitesh dhe me presidenten ndamë të njëjtin mendim dhe e ka kryer detyrën me përgjegjshmëri.
Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës dhe dhuna ndaj trupave të KFOR-it dhe medias është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme. Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të mos justifikuar asnjë nga palët për moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Nevojitet një shtensionim i situatës” tha ai.
Edhe homologia hungareze Katalin Novak e shprehu shqetësimin. “Unë jam shumë e shqetësuar për këtë që ka ndodhur në Kosovë. Kanë ndodhur agresivitete që prej shumë kohësh nuk i kemi pasur. Të shmangen.
Ne si hungarezë jemi krenarë që kemi pasur ushtarët tanë dhe kanë qenë guximtarë, jo vetëm në Hungari, por edhe jashtë shtetit. Punojnë edhe pse ishin lënduar. Shpresoj se de-eskalimi është zgjidhja. Të ulen tensionet. Përmes KFOR-it kemi 400 ushtarë hungarezë dhe ne në rrugën diplomatike bëjmë cdo gjë. Është shumë e rëndë nëse vazhdohet kështu” tha ajo.