Deputeti demokrat, Dashnor Sula ka publikuar në rrjetet sociale, disa foto që tregojnë se tek kuadrati ku duhej vendosur shenja “X” ose “+”, votuesit kanë shënuar numri “1”, numrin “10”, kanë shkruar “PS” apo kanë vendosur firmën e tyre në kuadrat.
Këto fletë votimi, sipas tij duhet të ishin quajtur të pavlefshme, por deputeti thotë se kanë kaluar për kandidatin e Partisë Socialiste, Arif Tafani.
Sula shprehet se këto element identifikues janë kërkuar nga vetë patronazhisti apo kryebashkiaku Tafani, pasi kanë pasur dyshim aty ku kanë dhënë lekët për blerjen e votave apo i kanë intimiduar me ndihma ekonomike.
Gjithashtu deputeti bën me dije se tek fletët e votimit ku qytetarët kanë votuar për kandidatin e opozitës, Bedri Qypi nuk është vendosur njëra nga vulat me qëllim për të bërë fletën e pavlefshme.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i ka lënë afat koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Belsh deri të hënën që të këqyrë materialet filmike dhe të paraqesë si prova fletët e votimit me pamje.