Lulzim Basha vijon turin nëpër Shqipëri me të rinjtë duke u përgatitur për rikthimin në krye të PD-së zyrtare. Në një postim në Facebook, ish-kryetari i 9 viteve në opozitë që pësoi disa disfata nga Edi Rama, i kërkon Sali Berishës që të “ulë thikat”. Gjithashtu, kërkon nga të gjithë politikanët, përfshirë edhe Berishën që “tregojë pasurinë”.
“Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathtë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum.
Unë kam vetëm një përgjigje për ata, dhe këdo që u beson atyre. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe më pas me ata, fëmijët dhe familjarët e tyre. Të shohim a i justifikojnë apo jo? Ky është vettingu i politikanëve. Këtë se duan, sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon agjendën e tyre.
Sot është koha që demokratët të ulin thikat, duke filluar nga ai që i ngriti i pari, sepse e kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh. Unë e mora vendimin tim! Vendosa të sakrifikoj veten në interes të demokratëve, duke duruar edhe gjithfarë mashtrimi. Ai ka bërë të kundërtën, sakrifikoi interesin e demokrateve për interesat e tij personale. Për këtë, çdo ditë e më shumë, koha po na jep të drejtë” shkruan ai.